Cameron akuzohet për përhapjen e ISIS-it në Libi
(last modified Wed, 14 Sep 2016 17:53:17 GMT )
Shtator 14, 2016 19:53 Europe/Tirane
  • Cameron akuzohet për përhapjen e ISIS-it në Libi

Një raport parlamentar britanik kritikon ashpër ndërhyrjet e Britanisë dhe Francës, që sollën rrëzimin e udhëheqësit libian Muammar Gaddafi në vitin 2011.

Komiteti i Çështjeve të Jashtme akuzoi kryeministrin e atëhershëm, David Cameron, se nuk kishte një strategji koherente për fushatën e sulmeve ajrore, duke e bërë përgjegjës të drejtpërdrejtë të kolapsit të Libisë. Në raport shkruhet se, ndërhyrja ushtarake nuk ishte bazuar në informacione të sakta dhe se solli ngritjen e ISIS-it në Afrikën e Veriut. Në reagim ndaj raportit, qeveria britanike tha se vendimi për të ndërhyrë në Libi ishte ndërkombëtar. Vet ish-kryeministri Cameron e ka mbrojtur gjithnjë ndërhyrjen në Libi, duke thënë se Gaddafi do të shfaroste njerëzit në Bengazi. Por, sipas Komitetit për Punët e Jashtme, qeveria britanike nuk kuptoi se kërcënimi ndaj civilëve ishte mbivlerësuar ndjeshëm dhe se kërcënimet e Gaddafit u cilësuan si të mirëqena. Sipas komitetit, pas sigurimit të Bengazit kishte mundësi për zgjidhje politike, por qeveria britanike u fokusua vetëm te ndërhyrja ushtarake. Gjithashtu raporti thekson se qeveria britanike, e tërhequr në luftë nga entuziazmi francez, nuk arriti që të identifikojë elementin militant islamik në rebelimin libian, diçka që i hapi derën problemeve që ekzistojnë sot në Libi.

 

Tags