Shtëpia e Bardhë reagon ndaj sulmit terrorist në Pakistan
SHBA ka dënuar sulmin terrorist në veriperëndim të Pakistanit dhe ka inkurajuar Islamabadin që të vazhdojë të luftojë kundër terrorizmit.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Ned Price, deklaroi se SHBA e dënon ashpër sulmin terrorist në një xhami në qytetin Mohamand në veriperëndim të Pakistanit ku të paktën 36 persona u vranë dhe 30 të tjerë u plagosën. Ai shtoi se ky sulm terrorist rikujton rrezikun e madh të terrorizmit dhe ekstremizmit për të gjitha vendet e rajonit. Rreth 200 besimtarë ishin brenda xhamisë në kohën kur ndodhi sulmi. Jamaat-ul-Ahrar, që është një fraksion i shkëputur i talibanëve, ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Ky grup gjithashtu kishte marrë përgjegjësinë për sulmin në një zyre të avokatëve në Quetta, ku u vranë 73 persona më 8 gusht. Kryeministri pakistanez, Navaz Sharif ka dënuar sulmin dhe ka thënë se qeveria do të vazhdojë luftën kundër ekstremistëve.