Turqia mbyll 20 televizione dhe radio
Qeveria turke ka mbyllur 12 kanale televizive dhe 8 radio nën akuzën e “kultivimit të ideve terroriste”.
Ankaraja i akuzoi këto media se kanë bërë propagandë në favor të Partisë Punëtore të Kurdistanit dhe dha urdhër për mbylljen e tyre. Hamza Ektan, kryeredaktor i kanalit Tv AMC që ka marrë urdhër të mbyllet, tha se kanalet radio-televizive që janë mbyllur nga qeveria turke administroheshin nga kurdët dhe pakicat fetare. Këto kanale transmetonin programe në gjuhën kurdë dhe turke kryesisht në rajonet lindore të Turqisë të banuara kryesisht nga popullsia kurde. Më parë, qeveria e Ankarasë kishte mbyllur disa radio-televizione që akuzoheshin se kishin lidhje me klerikun opozitar Fethullah Gylen. Këto masa represive të qeverisë turke favorizohen edhe nga vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme, të cilën presidenti Erdogan po e shfrytëzon për të zhdukur çdo ndikim të Gylenit në Turqi. Në kuadër të kësaj politike, rreth mbi 32 mijë persona janë arrestuar nën akuzën se kanë përkrahur grushtin e shtetit të 15 Korrikut kundër qeverisë së presidentit Erdogan.