Trump në avantazh kundrejt Clinton
https://parstoday.ir/sq/news/world-i33610-trump_në_avantazh_kundrejt_clinton
Hillary Clinton dhe Donald Trump janë shumë pranë njëri-tjetrit me përqindje të votave sipas sondazheve të Washington Post dhe ABC News.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
Nëntor 01, 2016 19:05 Europe/Tirane
  • Trump në avantazh kundrejt Clinton

Hillary Clinton dhe Donald Trump janë shumë pranë njëri-tjetrit me përqindje të votave sipas sondazheve të Washington Post dhe ABC News.

Rënia e entuziazmit për kandidaten demokrate Hillary Clinton është reflektuar qartë në sondazhin e fundit të “Washington Post” dhe “ABC News”, i cili vendos në avantazh kundërshtarin e saj republikan, pas një periudhe relativisht të gjate spostimi në vend të dytë. Donald Trump ka tani një epërsi të lehtë ndaj rivales së madhe për Shtëpinë e Bardhë. Anketimi i jep atij 46% të preferencave, ndërsa Clintonit 45%. Shifrat tregojnë, sidoqoftë, se gara vazhdon të mbetet tepër e ngushtë. Në 3 sondazhet e parafundit, Clintoni vazhdoi ta ruante kryesimin me një apo dy pikë, por trendi ishte qartazi ai i ngushtimit të hendekut mes saj dhe Trumpit, diferenca me të cilin, përpara ndërhyrjes së FBI-së, ishte e madhe dhe e qëndrueshme, aq sa për një moment u mendua se fati i zgjedhjeve të nëntorit mund të ishte vulosur. Vendimi i Byrosë Federale për t’i rinisur hetimet mbi çështjen e “e-mail”-eve të dërguara nga serveri privat, në kohën kur Clinton kishte shërbyer si Sekretare Shteti, duket se ka pasur edhe më shumë peshë se skandalet e ngacmimeve seksuale të Trumpit, sepse gara sot është më e ashpër nga sa ishte në mesin e tetorit, kur ndaj miliarderit nisi vërshimi i akuzave, të cilat ai vet vazhdon t’i mohojë. Zgjedhjet në SHBA zhvillohen më datë 8 nëntor.