Fitorja e Trump trondit tregjet financiare dhe energjetike botërore
https://parstoday.ir/sq/news/world-i34555-fitorja_e_trump_trondit_tregjet_financiare_dhe_energjetike_botërore
Lajmi i fitores së Donald Trumpit shkaktoi tërmet në tregjet aziatike të aksioneve. Në të gjithë rajonin, ato u mbyllën në ulje.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Nëntor 09, 2016 16:33 Europe/Tirane
  • Fitorja e Trump trondit tregjet financiare dhe energjetike botërore

Lajmi i fitores së Donald Trumpit shkaktoi tërmet në tregjet aziatike të aksioneve. Në të gjithë rajonin, ato u mbyllën në ulje.

Paratë vërshuan nëpër parajsa të sigurta aksionesh, floriri dhe valutash të ndryshme, përfshirë jenin. Indeksi japonez “Nikkei 225” ra me 5.4%. Luhatje të forta patën edhe tregjet europiane. Duket se tregjet, përgjithësisht kishin pritur një fitore të rehatshme të Hillary Clintonit. Triumfi i Trumpit ishte një shok për ta, ashtu siç ishte dhe rezultati i referendumit për shkëputjen e Britanisë nga Bashkimi Europian. Për çdo rast, bursat nuk u shkundën këtë herë aq dhunshëm, sa ç’bënë pas “Brexit”-it. Indeksi “Hang Seng” i Hong Kongut u mbyll 2.2% më pak, “Shanghai Composite” shënoi humbje prej 0.6%, “ASX 200” i Australisë ishte me rënie 1.9% dhe 2.7% më pak pati “Kospi” i Koresë së Jugut. Luhatje pati edhe “Doë Jones”-i amerikan dhe “FTSE 100” e Londrës. Fitorja e Trumpit është parë gjerësisht si negative për ekonomitë aziatike, për shkak të retorikave të tij proteksioniste. Prej kohësh, ai flet për ndryshimin e tarifave të importeve kineze dhe ndëshkimin e kompanive amerikane, që e dërgojnë aktivitetin jashtë kufijve. Sesa do t’i vërë vërtet në zbatim të tilla kërcënime, e sa do t’i kthejë në politika premtimet e bëra gjatë fushatës, kjo mbetet për t’u parë. Investitorët, ndërkohë, duket e kanë ndarë mendjen se çfarë nënkupton Presidenca e Trumpit për Azinë dhe, duke gjykuar nga reagimi i tyre, mendimi që ndajnë është se nuk ka për të qenë diçka e mirë. Fjalimi i tij me tone të zbutura dhe zotimi për të hedhur miliarda dollarë në infrastrukturë i dha disi një frymëmarrje tregjeve, duke përçuar një ndjesi qetësimi, por situata nuk është stabilizuar ende. Nëse Trump do të zbatojë me përpikmëri programin e tij, do të jetë ndryshimi më i madh në dekada i lidhjeve tregtare të Shteteve të Bashkuara me pjesën tjetër të botës. Ai ka kërcënuar me anulimin e disa marrëveshjeve tregtare, përfshirë këtu traktatin “North American Free Trade”, të nënshkruar mes SHBA, Kanadasë dhe Meksikë dhe të cilin Trump e akuzon për humbjen e vendeve të punës në SHBA. Ka sugjeruar gjithashtu largimin e Shteteve të Bashkuara nga Organizata Botërore e Tregtisë. Favorizon taksat e larta të importit dhe ka folur për 45 përqind taksë për mallrat që importohen nga Kina dhe 35 përqind për ato që importohen nga Meksika. Ai thotë se kjo lëvizje do të ndalojë emigrimin e kompanive amerikane në vende me kosto të ulët prodhimi.