Vazhdojnë protestat kundër Trump në SHBA
Mijëra demonstrues kanë dalë në rrugë në shumë qytete amerikane për të protestuar kundër zgjedhjes së presidentit Donald Trump.
Shumë prej tyre bërtasin “Nuk është presidenti im” , ndërsa të tjerët kanë djegur paruke me ngjyrën e flokëve të Trump. Dhuna ka shpërthyer gjatë natës kur mijëra qytetarë protestuan kundër presidentit të sapo zgjedhur duke sulmuar policinë, djegur dhe bllokuar rrugët. Në rrugët e Oakland të Kalifornisë policia hodhi gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit. Kjo ishte një ndër protestat më të dhunshme që janë ndërmarrë pas zgjedhjes së Trumpit si president. Më shumë se 6 mijë protestues dolën në rrugë fillimisht në një marshim paqësor dhe më pas në një përleshje ku protestuesit hodhën shishe dhe u dogjën disa makina policie. Në Nju Jork, mijëra marshuan para Kullës Trump, duke shprehur pakënaqësinë e tyre mbi politikat e Trump lidhur me emigracionin, të drejtat e homoseksualëve dhe abortin. Mijëra protestues të tjerë mbushën rrugët në Los Angelos ku protestuesit ndiznin zjarre dhe mbanin në dorë kukulla të Trumpit. 14 u arrestuan atje. Në Nju Jork, në shtëpinë e presidentit të sapozgjedhur u arrestuan të paktën 30 persona të cilët protestonin në kullën e Trump. Më herët, policia ngriti barriera dhe mori masa të tjera sigurie përqark qiellgërvishtëses, e cila pritet të jetë edhe selia e Trump gjatë tranzicionit të pushtetit.