Bisedë telefonike Merkel-Trump
Kancelarja gjermane Angela Merkel ka zhvilluar një bisedë telefonike më Presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të cilin e ka uruar për fitoren si dhe i ka komunikuar se ajo është e vendosur për ruajtjen e marrëdhënieve mes Gjermanisë dhe ShBA.
Sipas komunikatës zyrtare, Merkel ishte shprehur se populli amerikan dhe ai gjerman ndajnë së bashku vlera të përbashkëta si demokracia, liria e zgjedhjes, etj. Gjithashtu, zëdhënësi i qeverisë komunikoi se kancelarja ishte shprehur optimiste për të patur një takim me Presidentin e zgjedhur në samitin e G20 që do të mbahet në Gjermani gjatë vitit të ardhshëm. “Kancelarja gjermane dhe Presidenti i zgjedhur Donald Trump kanë biseduar së fundmi me telefon. Kancelarja e përgëzoi Trump për suksesin në zgjedhje. Ajo nënvizoi gjatë bisedës se Gjermania dhe ShBA janë të lidhur nga vlerat e përbashkëta. Gjithashtu, Merkel e siguroi Presidentin se do të përpiqet të ruajë marrëdhëniet tradicionalisht të mira me Shtetet e Bashkuara dhe se kishte planifikuar që ta takonte atë në Samitin e G20 që do të zhvillohet gjatë vitit të ardhshëm”, u shpreh zëdhënësi i qeverisë gjermane.