Programi i 100 ditëve të para të Trump si President
Programi i 100 ditëve të para, me të cilin Trump pritet të ndryshojë Amerikën, është ilustruar me detaje në tubimin e 22 tetorit në Gettysburg, Pensilvani, një vend historik i Luftës Civile, ku presidenti Abraham Lincoln mbajti fjalimin e tij të famshëm në 1863.
Republikani kërkon të lajmërojë sa më parë qëllimin e tij për të rinegociuar Traktatin e Shkëmbimit të Lirë Amerikano-Verior dhe tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga partneriteti transpacifik. Ai do të revokojë kufizime në prodhimin e lëndëve djegëse, do të rifillojë projektin e tubacionit për të cilin Obama vendosi veton në shkurt të vitit 2015, si dhe do të anulojë miliarda dollarë që i janë premtuar Kombeve të Bashkuara në luftën kundër ndryshimeve klimaterike. Miliarderi ka premtuar se do të përjashtojë 2 milionë emigrantë kriminelë, ndërkohë që nuk do të pranojë më persona që vijnë nga vende të lidhura me terrorizmin. Të gjitha këto masa janë pjesë e një “kontrate” sipas Trump, që do të jetë revolucionare për zgjedhësit amerikanë. Ai ka premtuar gjithashtu se do t’i shpallë menjëherë luftë korrupsionit në Uashington, duke limituar numrin e mandateve të deputetëve dhe senatorëve në Kongres. Republikani kërkon gjithashtu të anulojë të gjitha dekretet presidenciale të firmosura nga Obama, që ai i gjykon si anti-kushtetuese. Pavarësisht tensioneve me partinë e tij, e cila për momentin gëzon shumicën në Senat, Trump premton gjithashtu të bashkëpunojë me Kongresin për të miratuar një plan biznesi për krijimin e 25 milionë vendeve punë në dhjetë vjet, me shkurtime të konsiderueshme të taksave për klasën e mesme dhe bizneset, e gjithë kjo me objektivin për të arritur një rritje 4% në vit. Muri kufitar në jug të vendit, sipas tij do të jetë tërësisht i financuar nga Meksika, ndërkohë që për të gjithë klandestinët e përjashtuar që rikthehen në SHBA, do të vendoset masa e arrestit me të paktën 2 vite burg. Republikani gjithashtu do të punojë për heqjen e ligjit të shëndetit të njohur si “Obamacare”. Në programin e tij figurojnë gjithashtu miliarda dollarë investime në infrastruktura për 10 vite, përmes partneriteteve publike-private dhe investimeve private të inkurajuara nga ulja e taksave. Por diskursi i tij në Gettysburg, është ndalur në kufinjtë e vendit. Nuk ka asnjë detaj mbi politikën në vend për 100 ditët e para, edhe pse në fjalimin e tij të fitores, Trump premtoi se do të punonte për aleanca dhe jo për konflikte.