Trump fillon të distancohet nga deklaratat parazgjedhore
Ndonëse ishte shprehur për të kundërtën, Presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump, tani thotë se është i hapur që të lerë të paprekura disa pjesë të ligjit të shëndetësisë, të njohur si “Obamacare”.
Rrëzimi i ligjit të 2010-s ka qenë një prej zotimeve më të hershme të republikanit. Mesa duket, gjërat kanë ndryshuar disi dhe Trump thotë se do të mbajë në fuqi nenet që u ndalojnë kompanive të sigurimit mohimin e mbulimit për sëmundje paraekzistuese. Ai i tha “Wall Street Journal” se favorizon gjithashtu pjesën që lejon të rinjtë të përfitojnë sigurime nga siguracionet e prindërve të tyre. “Këto janë dy shtylla të ligjit. Më pëlqejnë shumë”, deklaroi ai. Trump këmbëngulte gjatë fushatës që “Obamacare” duhet të shfuqizohet dhe të zëvendësohet me diçka shumë më pak të shtrenjtë. Administrata amerikane kishte njoftuar se paketa e sigurimit shëndetësor për kategori të caktuara klientësh do të rritet 25 përqind vitin e ardhshëm. Edhe Hillary Clintoni bënte thirrje për ndryshime në planin e kujdesit shëndetësor, por jo për shfuqizimin i tij. Mesa duket, ka qenë takimi me Obamën të enjten ai që e ka shtyrë Trumpin të ndërrojë mendim përsa i takon zëvendësimit të plotë të aktit të kujdesit shëndetësor. Në një intervistë tjetër, dhënë këtë herë për CBS, republikani u shpreh se do të përpiqet që të ruajë disa pjesë të paketës së Obamës, ndërsa të tjerat do të zëvendësohen për t’u ofruar amerikanëve kushte sa më të mira për më pak para. Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, e ka shprehur dëshirën për bisedë telefonike me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në një të ardhme të afërt, ka thënë Trump gjatë një interviste të publikuar sot në të përditshmen, Wall Street Journal. Trump tha se e ka marrë një letër të “shkëlqyeshme” nga Putini, duke iu refereuar telegranit të urimit, që lideri rus ia ka dërguar më 9 nëntor, duke shprehur dëshirën për të punuar në “kthimin e raporteve ruso-amerikane në rrugën e stabilitetit dhe zhvillimit”. Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon tha sot se është i bindur se presidenti i sapo zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nuk do të tërhiqet nga marrëveshja e Parisit mbi ndryshimet klimatike. Deklarata e Sekretarit Ki-moon vie pasi Trump gjatë fushatës zgjedhore kishte deklaruar se do të tërhiqet nga marrëveshja.“Ai dha shumë deklarata shqetësuese, por unë jam i sigurt që ju do të kuptoni rëndësinë, seriozitetin dhe urgjencën”, tha Ki-moon në një intervistë për AFP. Ki-moon uroi fitoren Trump dhe tha se njerëzit në të gjithë botën presin nga Shtetet e Bashkuara për të vepruar në favor të së mirës së përbashkët.