Shtohen tensionet mes NATO-s dhe Rusisë
(last modified Wed, 23 Nov 2016 19:14:39 GMT )
Nëntor 23, 2016 20:14 Europe/Tirane
  • Shtohen tensionet mes NATO-s dhe Rusisë

Pranë kufirit me Rusinë, trupat e NATO-s kanë filluar ushtrimin më të madh ushtarak të kryer ndonjë herë në Lituani, ku po marrin pjesë 4.000 trupa nga 11 vende.

Manovrat janë të destinuara për të testuar aftësinë e vendeve baltike për të vendosur me shpejtësi numër të madh të trupave ushtarake në gjendje gatishmërie. Ushtrimi i quajtur “Shpata e hekurt” do të vazhdojë deri më 2 dhjetor dhe do të mbahet në dy lokacione në Lituani. Në ushtrim po marrin pjesë Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Kanadasë, Polonisë, Rumanisë, Sllovenisë, Luksemburgut, Lituanisë, Estonisë dhe Letonisë. Padyshim këto manovra kanë shkaktuar irritimin e Moskës. Rusia po zhvillon një arsenal të ri të armëve nukleare dhe konvencionale për t’ju kundërvënë lëvizjeve të SHBA-së dhe NATO-s. Sipas presidentit rus, Vladimir Putin, kjo do të bëhet në mënyrë të kujdesshme për të shmangur kostot që do të mund të ngarkonin ekonominë e vendit. Putin, duke iu adresuar një takimi në Moskë rreth planeve të modernizimit të armëve, ka thënë se Rusia nuk e ka ndërmend të nisë garë të re armësh, porse do t’iu përgjigjet të gjitha sfidave të sigurisë. Ai ka akuzuar NATO-n për retorikën e saj në lidhje me konfliktin në Ukrainë dhe për manovrat në afërsi të kufirit rus, duke thënë se NATO po bën përpjekje të “ringjallë veten”. Putin ka thënë se Rusia do të përqendrohet në zhvillimin e armëve të reja bërthamore strategjike, mbrojtjen e hapësirës ajrore dhe armët konvencionale me saktësi të lartë. Intensiteti në rritje i ushtrimeve ushtarake, të kryera nga Rusia dhe NATO-ja, po i rrit gjasat e një konflikti të armatosur në Evropë, ka paralajmëruar Instituti Rrjeti i Lidershipit Evropian, me seli në Londër. Drejtori i Institutit, Ian Kearns, ka thënë se lojërat paralajmëruese “po i kontribuojnë klimës së mosbesimit”. Kearns është bashkautor i studimit, i cili ka analizuar në detaje stërvitjet ushtarake të mbajtura këtë vit nga Rusia dhe NATO-ja, të cilat janë në mosmarrëveshje të thella për shkak të ndërhyrjes së Moskës në Ukrainë. Ai ka thënë se ka shenja se “Rusia është duke u përgatitur për konflikt me NATO-n dhe se NATO-ja është duke u përgatitur për konfrontim të mundshëm me Rusinë”. Ushtrimet “mund të ushqejnë pasigurinë” dhe të rrisin “rrezikun e përplasjeve ushtarake”, thuhet në studim. Po sipas tij, NATO planifikon rreth 270 ushtrime këtë vit, ndërsa Rusia ka njoftuar për 4,000 stërvitje në të gjitha nivelet. NATO-ja ka kritikuar raportin duke thënë se ai “gabimisht i vë ushtrimet e Rusisë dhe të NATO-s në të njëjtin nivel”.

 

Tags