Thirrja e Trump për unitet në Amerikë
https://parstoday.ir/sq/news/world-i36274-thirrja_e_trump_për_unitet_në_amerikë
Presidenti i zgjedhur i SHBA, Donald Trump, ka uruar popullin amerikan në Ditën e Falënderimeve,
(last modified 2026-06-18T18:22:28+00:00 )
Nëntor 25, 2016 03:53 Europe/Tirane
  • Thirrja e Trump për unitet në Amerikë

Presidenti i zgjedhur i SHBA, Donald Trump, ka uruar popullin amerikan në Ditën e Falënderimeve,

duke bërë thirrje për unitet kombëtar dhe mirënjohje. Në një video-mesazh, Trump është shprehur se kjo është koha për ta që të shërojnë plagët e përçarjes dhe të bëjnë histori, duke sjellë ndryshime të vërteta për qytetet dhe komunitetet. Republikani kërkoi që populli amerikan ta ndihmonte atë në përpjekjet për rindërtimin e vendit. Pas fushatës zgjedhore, që ai e quajti “të gjatë dhe të ashpër”, Trump tha se emocionet në vend janë ende të forta. Ka ardhur koha të shërojmë plagët e përçarjes”, tha republikani, i cili gjithashtu shtoi se tensionet nuk mund të shuhen brenda natës. Më herët, ai emëroi dy gra në kabinetin e tij, të dyja figura të rëndësishme përgjatë fushatës presidenciale. Në kuadër të Ditës së Falenderimeve, Trump u shpreh se Shtetet e Bashkuara kanë mundësinë për të bërë histori, për të sjellë ndryshime të vërteta në Uashington si dhe siguri në qytete e begati për komunitetet. Trump ftoi të gjithë amerikanët t’i bashkoheshin kauzës së tij për rindërtimin e vendit, duke rikthyer besimin mes qytetarëve dhe duke parë me entuziazëm drejt të ardhmes. Një ditë më parë, presidenti i zgjedhur emëroi Nikki Haley si ambasadore e vendit në Kombet e Bashkuara dhe Betsy DeVos si sekretare e arsimit. Emërimet e tij do të duhet të kalojnë përmes Senatit që dominohet nga republikanët. Sipas biznesmenit, Nikki Haley, e cila ka pranuar emërimin, do të jetë një udhëheqëse e shkëlqyer që do të përfaqësojë vendin në arenën ndërkombëtare. Gjithsesi, zonja Haley ka qenë një ndër kritikueset e Trump gjatë fushatës së tij, duke sulmuar veçanërisht propozimin e tij për ndalimin e emigrantëve muslimanë, gjë e cila sipas saj, është “jo-amerikane”. Ndërkohë, kryesimi i Hillary Clintonit tek votat popullore ka mbërritur në dy milionë. Kandidatja e Partisë së Gjelbër, Gill Stajn dhe të tjerë po kërkojnë verifikimin e rezultateve në Miçigan, Pensilvani dhe Uiskonsin pas raporteve se ekspertët e sigurisë së votimit e kanë sinjalizuar fushatën e Clintonit për mundësinë e manipulimit në kontetë kryesore të këtyre shteteve.  Teksa procesi i numërimit të votave në Shtetet e Bashkuara, vijon edhe tashmë që kanë kaluar dy javë nga dita e zgjedhjeve, avantazhi i Clinton ndaj Trump, në votë popullore, po i afrohet 2 milionë votave. Gjithsesi, kjo nuk ndryshon faktin se Donald Trump është fituesi i zgjedhjeve presidenciale, pasi ai arriti të merrte shumicën e votave të Kolegjit Elektoral. Pavarësisht kësaj, një grup ekspertësh kanë kërkuar që votat në tre shtete të rinumërohen, për të siguruar se rezultati nuk është manipuluar. Kjo është hera e pestë në historinë amerikane që fituesi i votës popullore, humbet zgjedhjet. Rasti i fundit ishte ai i vitit 2000, kur demokrati Al Gore gëzonte një avantazh ndaj George W. Bush, i cili gjithsesi u shpall president pas një sfide të gjatë ligjore. Gjykata Supreme ishte ajo që vendosi se Bush ishte fitues në shtetin e kontestuar të Florida-s. Një grup akademikësh, avokatësh dhe ekspertësh të të dhënave po përpiqen të bindin skuadrën e Clinton për t’iu bashkuar përpjekjeve të tyre për hetimin e rezultatit në tre shtete. Ky grup kërkon të sigurohet se rezultati nuk është manipuluar nga piratë të kompjuterëve. Ata ngrenë dyshim mbi faktin se Clinton pati një performancë të dobët në vende ku votimi ishte elektronik, ndërkohë që mori më shumë pikë në vende ku votimi u bë me anë të fletëve të votimit dhe skanerave optikë.