Europa në javën që kaloi...83
Me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin tonë të përjavshëm kushtuar ngjarjeve më të rëndësishme të javës së kaluar në kontinentin europian.
Politikat monetare të Bankës qendrore europiane po krijojnë hapësirë për qeveritë që të kryejnë reformat e tyre ekonomike. Kështu ka deklaruar javën e kaluar presidenti i Bankës qendrore europiane Mario Draghi referuar rezultateve të politikave të tij ultra liberale. Ne po ulim rrezikun që norma e ulët aktuale e rritjes të kthehet permanente, por nuk mund ta eliminojmë të vetëm këtë rrezik, tha Draghi, teksa ju përgjigj edhe kritikëve se normat e ulëta u kanë dhënë më shumë se ç’duhet hapësirë qeverive për të vepruar. “Politika monetare është duke ofruar mbështetje dhe hapësirë për qeveritë për të kryer reformat e nevojshme strukturore. Pastaj varet nga qeveritë nëse duan të veprojnë në nivel individual apo bashkërisht në nivel europian”, tha ai. Kreu i institucionit më të rëndësishëm financiar europian Draghi tha se rimëkëmbja ekonomike e Evropës edhe pse modeste, është solide, duke shtuar se përmirësimet janë të dukshme jo vetëm në nivelin e inflacionit, por edhe prodhimi i brendshëm bruto sipas tij është kthyer në vitet e para krizës. Për Draghin faktorët kryesorë të kësaj rimëkëmbje kanë qenë çmimet e ulëta të naftës dhe politikat monetare të institucionit që ai drejton. Përsa i përket procesit të Brexit, ai tha se Banka qendrore Europiane është e gatshme për të përballuar çdo situatë. Mario Draghi shtoi se rimëkëmbja e zonës euro ka siguruar një hap përpara që nga fillimi i vitit dhe pritet që të vijojë me hapa të moderuar, por konstante, e mbështetur nga një kërkesë e brendshme solide dhe nga një aplikim i politikave të duhura në ekonominë reale.
Javën e kaluar, ministri për çështjen e Brexit-it të Anglisë ka deklaruar se ky vend duhet të paguajë një çmim të lartë për të hyrë në tregun e bashkuar të Bashkimit Evropian. Deivid Davis, ministri për çështjen e Brexit-t të Anglisë, tha se Anglia pas largimit të plotë nga BE, do të humbë edhe tregun e bashkuar të këtij Unioni dhe për të patur qasje në produktet dhe në shërbimet e tregut evropian duhet të paguajë shumë para. Deivid Davis gjithashtu tha se Anglia duhet të marrë parasysh të gjitha pasojat përkatëse me humbjen e tregut të bashkuar të BE dhe duhet të caktojë standarde që të ketë qasje në produktet dhe shërbimet e tregut evropian me qëllim që të reduktojë shpenzimet. Deklaratat e Deivid Davis bëhen në kohën kur shumë funksionarë dhe institucione ekonomike të Anglisë dhe kritikë të Brexit-it kanë paralajmëruar se largimi i këtij vendi nga tregu i bashkuar i Evropës, do të thotë largimi i një numri të madh të kompanive dhe bankave të mëdha nga Anglia. Nga ana tjetër, Qeveria britanike ka mohuar se nuk ka asnjë ide se nga është publikuar një memo, e cila tregon se Londra nuk ka asnjë plan konkret për Brexit, të cilin nuk do ta ketë as në 6 muajt e ardhshëm. Sekretari i Transportit, Chris Grayling tha se memo-ja nuk është hartuar nga zyra e kabinetit dhe se kontenti që po interpretohet gjerësisht në media nuk është i vërtetë. Në dokumentin e hedhur poshtë nga qeveria e Theresa Mayt thuhet se Londra po punon njëkohësisht në 500 projekte që lidhen me Brexit, për të cilat do t’i duhet një staf ekstra me një personel prej 30 mijë vetësh për të plotësuar kështu ngarkesën e punës. Sipas tij, ndasitë e mëdha që ekzistojnë brenda kabinetit, janë arsyeja kryesore. Ndërkaq gazeta “Herald Scotland” raporton se Skocia po merr në konsideratë planin e hartuar nga akademiket për të krijuar pasaporta të veçanta që t’i lejojnë qytetarët e tyre të jetojnë dhe të punojnë në Europë pas Brexit. Sondazhet tregojnë se britanikët janë më të shqetësuar mbi kontrollin e emigrantëve se sa në lidhje me tregtinë me Europën, duke treguar se strategjia e kryeministres Theresa May për Brexit është në linjë me mendimin e popullit. Ndërsa britanikët përgatiten për të dalë nga Bashkimi Europian, shumica e personave të anketuar treguan se fluksi i të huajve drejt Britanisë është diçka më shqetësuese se përfitimet tregtare, tregon sondazhi i agjencisë britanike Survation. 56% e të intervistuarve ishin dakord me manaxhimin e divorcit nga Theresa May. Niveli i emigrantëve është cilësuar si një nga arsyet kyç pas referendumit të 23 qershorit dhe Qeveria ka premtuar ta ulë numrin poshtë 100 mijë. Theresa May po i jep më shumë rëndësi dëshirës së shumicës së votuesve se sa mbrojtjes së interesave të bankingut global. As rënia e paundit me rreth 18 për qind që prej votës Brexit, nuk duket se ka ulur dëshirën e britanikëve për të dalë nga Bashkimi Europian.
Javën e kaluar, Ukraina e cilësoi tepër të rrezikshëm fluturimin e avionëve rusë në hapësirën ajrore në rajonet jugperëndimore e në veçanti mbi Gadishullin e Krimesë. Organizata e aviacionit e Ukrainës kritikoi fluturimin e avionëve luftarakë rusë mbi hapësirën ajrore të Krimesë dhe i kërkoi Moskës të ndalë këto veprime provokative. Duke reaguar ndaj këtij pretendimi, Organizata federale e aviacionit të Rusisë deklaroi se paralajmërimet e Ukrainës kanë vetëm motive politike, sepse fluturimet e avionëve luftarakë rusë mbi Gadishullin e Krimesë bëhen në kuadër të një manovre ushtarake të forcave ruse në rajonin Herson në afërsi të Krimesë. Por edhe Ukraina zhvilloi ushtrime ushtarake për dy ditë pranë Krimesë, gadishulli ukrainas i aneksuar në vitin 2014 nga Rusia. Vëzhguesit ukrainas iu trembën në fakt një përgjigjeje të ashpër nga ana e Rusisë dhe shqetësimi i tyre nuk ishte i pavend. Burimet e informimit bënë të ditur se presidenti rus Vladimir Putin ka vendosur të dërgojë 55 mijë trupa në kufi me Ukrainë, duke shkaktuar panik në rajon. Fluksi i papritur i ushtarëve i shtohet numrin prej 7 500 ushtarësh që ndodhet aktualisht në zonë. Lajmi u bë i ditur nga zv/ministri rus i Mbrojtjes, Ilhor Dolhov. “Aktualisht, Rusia ka grumbulluar rreth 55,000 ushtarë në afërsi të kufirit të Ukrainës”, tha ai. Në Krimenë e aneksuar nga Rusia janë 23 mijë trupa, nga të cilët rreth 9 mijë janë kufirin administrativ. Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes më parë njoftoi planet për të dërguar 80 herë më shumë ushtarë dhe pajisje ushtarake në Bjellorusi në vitin 2017 sesa në vitin 2016. Këto veprime flasin qartë për tensionimin e marrëdhënieve mes Rusisë dhe Perëndimit. Nga ana tjetër, përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në NATO, javën e kaluar ka theksuar se Rusia nuk do të hyjë në bisedime me NATO-n në lidhje me kontrollin e armatimit, përveç në kohën kur kjo organizatë të ndalë forcimin e frontit të saj lindor. Aleksander Grushko deklaroi se aktualisht është komplikuar situata në fushën e veprimit për krijimin e besimit dhe bashkëpunimit të sigurisë mes Rusisë dhe NATO-s. Ai shtoi se Aleanca Veri-Atlantike kërkon nga Rusia që të bëjë hapa në këtë drejtim, mirëpo njëkohësisht me këtë ajo po vazhdon krijimin e bazave ushtarake dhe forcimin e frontit lindor. Nëse NATO dëshiron të marrë në dorë mbikëqyrjen mbi armatimin, atëherë duhet të heqë dorë nga përpjekjet e saj për superioritetin ushtarak ndaj Rusisë",- shtoi ndër të tjera përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në NATO.
Javën e kaluar, Zhan Klaud Junker, kryetari i Komisionit Europian, deklaroi se Barak Obama duke e përshkruar Rusinë si një "fuqi rajonale", ka bërë një gabim të madh dhe Europa në të kundërtën duhet të sillet me Rusinë si "një vend me identitet të madh dhe një popull me plot krenari" dhe të mësojë shumë gjëra rreth Rusisë. Zhan Klaud Junker, kryetari i Komisionit Europian, në një intervistë me kanalin televiziv Euronews, ka thënë se BE ka një sipërfaqe 5.5 milion km katror në kohën kur Rusia ka një sipërfaqe 17.5 milionë metër katror. Prandaj, shtoi ai, Rusia duhet trajtuar si "një vend me identitet të madh dhe një popull me plot krenari". Ai ka pohuar se BE në këtë periudhë ka pak informacione në lidhje me Rusinë dhe duhet të mëson shumë gjëra rreth saj. Zhan Klaud Junker, kryetari i Komisionit Evropian, në vazhdim ka kritikuar Barak Obama, presidentin e Amerikës, i cili në vitin 2014 pati deklaruar se Rusia është një fuqi rajonale, e cila nga dobësia dhe jo nga forca, kërcënon vendet fqinje të saj. Junker tha se Rusia nuk është një fuqi rajonale ashtu siç ka thënë Barak Obama dhe ky vlerësim i Obamas është një gabim i madh. Zhan Klaud Junker, kryetari i Komisionit Europian theksoi: "Bashkimi Evropian nuk është i varur nga politika e jashtme e Amerikës. Uashingtoni mund të veprojë siç dëshiron, ndërsa edhe BE ka një varg interesash që i përkasin vetëm atij dhe duhet t'i administrojë ato. Natyrisht nuk është paraqitur akoma ndonjë argumentim për heqjen e sanksioneve kundër Rusisë, mirëpo BE kërkon kompromis me Moskën sepse duhet të kemi parasysh se pa Rusinë nuk ekziston kurrfarë arkitekture e sigurisë për Europën", tha ndër të tjera Zhan Klaud Junker, kryetari i Komisionit Evropian. Zgjedhja e Donald Trump si president i SHBA që preferon afrimin dhe bashkëpunimin me Rusinë është bërë shkak që edhe BE të ndryshojë disi qëndrimin ndaj Rusisë. BE si ndjekës i verbër i politikave të SHBA, ka vendosur sanksione të ashpra kundër Rusisë, por tashmë e ka kuptuar se mund të mbetet i vetëm përballë një Rusie të fuqishme në kushtet kur Trump ka paralajmëruar se Amerika do të reduktojë angazhimin e saj në NATO, organizatë të cilën Trump e ka cilësuar si të “vjetëruar” dhe “joefikase”.
Me moton “ Jo kundër reformave në kushtetutë”, javën e kaluar, italianët edhe një herë janë ngritur në protestave kundër masave të reja të qeverisë. Të shumtë janë edhe autoritetet italiane që janë kundër kryerjes së reformave në kushtetutë. Krerët e partive në koalicionin qeveritar në Itali ndajnë qëndrime të ndryshme sa i takon rezultatit që do të prodhojë referendumi për ndryshimet kushtetuese në vend. Kreu i partisë së qendrës së djathtë, aktualisht ministër i brendshëm i qeverisë Renzi ka thënë se, pavarësisht se cili do të jetë opinioni popullor, qeveria do të vijojë të drejtojë vendin. Ky qëndrim i Alfanos pason deklaratën e kryeministrit Mateo Renzi, i cili ka thënë disa herë që do të dorëhiqet nëse paketa e tij për ndryshimet kushtetuese nuk mbështetet nga italianët në vendimet e 4 dhjetorit. Reforma kushtetuese parashikon reduktimin e rolit të Senatit, i cili do të shprehet vetëm për ligje të caktuara. Këto ndryshme ndërmerren për t’i dhënë fund krizave dhe stabilitetit politik në Itali. Në rast se shumica e votave të referendumit do të jetë “PO”, një sërë kompetencash do të kalojnë nga rajonet te qeveria, e cila do të ketë në këtë rast edhe një mjet tjetër pushteti: të ashtuquajturën votë me datë të sigurtë. Për masat e rëndësishme, Dhoma e Deputetëve dhe Senati do të kenë vetëm 70 ditë kohë për të aprovuar ose hedhur poshtë një normë. Nëse shumica e votuesve shprehet pro, kryeministri aktual Matteo Renzi do të dalë më i fortë dhe do të mund të përballojë më mirë opozitën e “Lëvizjes 5 Yjet” dhe të forcave të djathta, si dhe do të arrijë në fund të legjislaturës që mbyllet në vitin 2018. Skenari është më i ndërlikuar nëse nga votat del një “JO”. Në këtë rast, kryeministri - siç ka deklaruar, - mund të japë dorëheqjen dhe Presidenti i Republikës mund të mos e pranojë, por në këtë rast të kërkojë votën e Parlamentit, që mund të vendosë për një qeveri teknike. Por varianti më i mundshëm, sipas analistëve, mbetet një qeveri e re me në krye sërish Renzin. Një gjë është e sigurtë. Si kurrë më parë, në vend nuk ka pasur një angazhim kaq të madh të politikës dhe medieve për një referendum, e megjithatë mbetet tepër e madhe përqindja e të pavendosurve. Te kjo kuotë prej 20-25% e votuesve duket se mbetet i varur fati i Kushtetutës italiane.
Sikundër dhe pritej, Francois Fillon do të jetë kandidati që do të garojë për republikanët në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm në Francë, pasi rivali i tij Alain Juppe pranoi humbjen. Rezultatet tregojnë se Fillon fitoi në primaret e zhvilluara javën e kaluar, me rreth 67% të votave. Fillon tha se aksioni ishte i nevojshëm për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë. Ai me siguri se do të përballet me një kandidat socialist dhe Marine Le Pen të ekstremit të djathtë në zgjedhjet e ardhshme të prillit. “Qasja ime është kuptuar. Franca nuk mund të pranojë rënien e saj. Kjo është e vërteta dhe dëshiron veprim", - tha ai për përkrahësit e tij pasi rezultati i zgjedhjeve primare të Partisë Republikane u bë i qartë. Fillon është një politikan me karrierë dhe ish-kryeministër, i cili ka shërbyer në atë post nga 2007-2012. Ai ka paralajmëruar se Franca është “në prag të revoltës”, prandaj planifikon të shkurtoje 500 mijë poste publike, ndërsa ka premtuar ditë më të mira për biznesin. Fillon ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj emigrantëve myslimanë dhe ka theksuar mbrojtjen e vlerave të identitetit, gjuhës dhe vlerave familjare të Francës. Të gjitha sondazhet e fundit kishin parashikuar se, as Hollande dhe as ndonjë kandidat tjetër socialist nuk do të mund të siguronte triumfin në raundin e parë të zgjedhjeve. Ato parashikojnë gjithashtu një betejë të ashpër mes kandidatit të qendrës së djathtë, François Fillon, si dhe udhëheqëses së Frontit Nacional, të ekstremit të djathtë, Marine Le Pen. E majta franceze është thellësisht e ndarë në prag të këtyre zgjedhjeve. Disa socialistë të tjerë, përfshi ish-ministrin e Ekonomisë, Arnaud Montebourg, kanë thënë se do të marrin pjesë në primaret partiake në janar. Një tjetër ish-ministër i Hollande, Emmanuel Macron, si dhe nxitësi i trazirave tek e majta, Jean-Luc Melenchon, kanë njoftuar se do të garojnë për president, por pa marrë pjesë në primaret e partisë, duke qenë kandidatë të pavarur. Gjithashtu ka pasur tensione mes Hollande dhe kryeministrit të tij, Manuel Valls, i cili dha shenjat e para se mund të garonte në primaret e partisë kundrejt udhëheqësit të tij aktual.
Pas zgjerimit të ndjenjave anti-islame në vendet e BE, Sllovakia miratoi javën e kaluar një ligj që ndalon njohjen zyrtare të fesë islame. Parlamenti i Sllovakisë miratoi projektligjin e propozuar nga Partia Kombëtare, në bazë të të cilit, një fe duhet të ketë të paktën 50 mijë ndjekës që të marrë ndihma nga qeveria dhe të ketë të drejtë të hapë shkollat e veta. Më parë, ligji i parashikonte këto të drejta për çdo fe që ka 20 mijë ndjekës. Vendimi i Parlamentit të Sllovakisë shihet si një tjetër lëvizje e qeverisë së këtij vendi drejt kufizimit të të drejtave të muslimanëve, ndërsa qeveria e kryeministrit sllovak Robert Fico e ka deklaruar qartë se Islami nuk ka vend në Sllovaki. Sllovakia është një vend i vogël në qendër të Europës me 5 milionë banorë, 62 % e të cilëve janë katolikë. Nga ana tjetër, javën e kaluar, deputetët e parlamentit të Holandës kanë votuar pro ndalimit të përdorimit të burkës nga femrat myslimane. Sipas vendimit të marrë nga parlamenti i Holandës përdorimi i veshjeve dhe i burkës nga femrat myslimane është i ndaluar në disa ambiente publike. Nëse ky ligj merr konfirmimin e senatit holandez, atëherë femrave myslimane u ndalohet të përdorin burkën në institucionet shtetërore, mjetet e transportit, shkolla, spitale dhe vende të tjera publike. Ndërkohë Gerd Wilders deputet ekstremist holandez dhe kryetar i partisë Partia për Liri ka kërkuar që të ndalohet çdo veshje që mbulon fytyrën.