Trump mes Iranit, “qenit të tërbuar” dhe Sirisë
https://parstoday.ir/sq/news/world-i38095-trump_mes_iranit_qenit_të_tërbuar_dhe_sirisë
Para disa ditësh presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, buzëqeshi duke thënë: “Sekretar të mbrojtjes tonë do të caktojmë "qenin e tërbuar" Mattis.” Ai nuk e shpiku këtë nofkë për gjeneralin në pension, James Mattis.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Dhjetor 10, 2016 13:27 Europe/Tirane
  • Trump mes Iranit, “qenit të tërbuar” dhe Sirisë

Para disa ditësh presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, buzëqeshi duke thënë: “Sekretar të mbrojtjes tonë do të caktojmë "qenin e tërbuar" Mattis.” Ai nuk e shpiku këtë nofkë për gjeneralin në pension, James Mattis.

Sami Kulejb

E riktheu atë me qëllim për të treguar qartë natyrën e administratës së tij, në të cilën ditë pas dite plotësohet harta e fajkonjve dhe e së djathtës shoviniste. Meqenëse Mattis është i tërbuar, siç është njohur nga marrëdhëniet e tij me administratën e mëparshme dhe nga pjesëmarrja e tij në luftërat e Gjirit Persik, Afganistanit e gjetkë, nuk ka dyshim se Iranit i mbetet detyrë të përgatitet për çdo mundësi, e bashkë me të edhe Hezbollahut, por përsa i përket Sirisë, çfarë?

Që nga fushata e tij zgjedhore e deri më sot, Trump nuk ka lënë shans pa shfrytëzuar theksimin e tij për shfuqizimin e marrëveshjes bërthamore me Iranin apo rikthimin e negociatave rreth saj. Tani, me caktimin e Mattis, urryesin e Iranit në krye të Pentagonit dhe me vendosjen e një tjetër armiku të Iranit, Michael (Mike) Pompeo në krye të CIA-s, i cili ka thënë: “Marrëveshja është katastrofale, Irani është shteti më i madh mbështetës i terrorizmit në botë”, presidenti i zgjedhur ka caktuar për institucionin ushtarak një ekip konfrontues par excellence. Këtij ekipi mund t’i shtojmë gjithashtu Michael Fallon, këshilltarin e sigurisë kombëtare, si dhe pjesën më të madhe të Kongresit dhe panorama bëhet më e plotë.

Këto emërime u shoqëruan me një tendencë për vendosje sanksionesh të reja ndaj Iranit në Kongresin e Amerikës. Ato përkuan gjithashtu edhe me përshkallëzimet e lobit çifut mbështetës të Izraelit, si dhe me risjelljen në kujtesë nga ana e zyrtarëve izraelitë se “Irani është rreziku më i madh” për stabilitetin.

Çfarë përsa i përket mundësive?

Trump dhe ekipi i tij, ose do të vazhdojnë me vendimin për prishjen e marrëveshjes bërthamore me Iranin, gjë që nënkupton hyrjen në disa kriza amerikane me Rusinë, Kinën, Bashkimin Evropian e me shtete të tjera, për shkak se marrëveshja u nënshkrua nga Irani dhe 5 shtete, të cilat kanë interesa të shumta me të.

Ose nuk do ta prishin marrëveshjen, por do të vendosin sanksione të reja të cilat kanë të bëjnë me raketat balistike dhe me atë që ata e quajnë "mbështetje nga ana e Iranit të grupeve të armatosura në rajon". Kjo, për të përfituar ulje nga ana e Iranit, gjë që do ta çonte Iranin të përplasej me rrymën konservatore iraniane, të cilët ashtu si Trump, nuk kanë qenë aspak entuziastë për marrëveshjen.

Ose do të ndodhë ndonjë zhvillim i papritur sigurie në Ngushticën e Hormuzit, Gjirit Persik, apo në rajone të tjera, duke bërë që gjërat të rrëshqasin furishëm drejt një lloji përballjeje me rezultate të pallogaritura, pa përmendur se çfarë mund të kontribuojë Izraeli për të.

Ose gjërat do të mbesin në kufijtë e deklaratave dhe paralajmërimeve reciproke, në pritje të ndonjë shtensionimi, i cili do të mbështetet në interesat e dy palëve, veçanërisht të Iranit, i cili di si të presë erërat për të rifilluar rrugën e negociatave rreth të cilave ka përvojë të mirë dhe të punojë njëkohësisht për forcimin e afrimit me partnerët e tjerë për të ndikuar mbi Amerikën.

Në të gjitha rastet, të paktën për momentin, është e vështirë të presim ndonjë politikë amerikane ndaj Iranit të ngjashme me atë që ndoqi Barack Obama; madje akoma më vështirë të presim ndonjë përballje mes dy palëve, me gjithë ekzistimin e mundësisë. Kjo, për shkak se Trump i kushton përparësi vetëm goditjes së terrorizmit jashtë vendit, fuqizimit të kushteve ekonomike brenda vendit dhe shmangien e vendit nga shpenzimet e tepërta në luftërat e jashtme.

Nuk ka dyshim se Irani ka përfituar nga nënshkrimi i marrëveshjes me Perëndimin, për arsye se marrëveshja i ngre sanksionet, siguron derdhjen e parave dhe investimeve nëpër tregje dhe qetëson lëvizjet e tij ndërkombëtare dhe rolin e tij politik. Por lideri suprem Sejed Ali Khamenei, i cili i dha dritën e gjelbër për negociatat dhe i mbuloi ato, nuk pati ndonjë entuziazëm të madh, njësoj si Garda e Revolucionit. Prandaj, ndoshta është e rëndësishme pritja e zgjedhjeve presidenciale iraniane majin e ardhshëm për të parë orientimin që do të marrë udhëheqja iraniane në lidhje me politikën e Amerikës. A do të zgjedhë ndonjë person të ashpër e konservator?

Ç’lidhje ka Siria me këtë çështje?

Gjatë fushatës së tij elektorale dhe pas zgjedhjes së tij, Trump caktoi vijat e gjera të politikës së tij në Siri. Ai tha: “Problemi i madh në Siri nuk ka të bëjë me presidentin Asad. Është çmenduri dhe pamaturi kërkimi i një rrugëdaljeje politike për largimin e Asadit, ndërkohë që ai është duke luftuar organizatën terroriste ISIS”. Ai tha gjithashtu: “Për mua, Asadi është një çështje dytësore në krahasim me ISIS-in”, duke theksuar se ai nuk e njeh opozitën.

Trump beson se eliminimi i terrorizmit, forcimi i ushtrisë dhe institucioneve në Siri, si dhe bashkëpunimi me Rusinë garantojnë dhënien fund të pranisë iraniane atje. Ky ishte edhe besimi i vendeve arabe të Gjirit e Izraelit, gjithashtu.

Këto kërkesa duken si iluzione për ata që nuk e njohin thellësinë e marrëdhënieve strategjike dhe organike mes Sirisë dhe Iranit. Atë çfarë ravijëzoi presidenti i ndjerë Hafez al-Asad prej linjave të asaj marrëdhënieje e mirëmbajti presidenti Bashar al-Asad me udhëheqjen iraniane, madje e zhvilloi edhe më shumë sesa duket.

Asadi e ka vizituar Iranin të paktën katër herë që nga lufta e korrikut 2006 e deri në shpërthimin e luftës në vendin e tij në vitin 2011. Atë që ka dëgjuar drejtpërdrejt nga Ajetullah Ali Khamenei apo përmes mesazheve të shumta gjatë luftës, e ka shprehur i dërguari i liderit në Damask, z. Said Xhelili, në verën e vitit 2012, duke thënë: “Irani nuk do të lejojë thyerjen e Sirisë, hallkës themelore në boshtin e rezistencës”. Prandaj, Irani në rastin më të parë që ka poseduar potencial ushtarak, politik dhe financiar, e ka ofruar në mbështetje të Sirisë dhe udhëheqjes së saj, duke vazhduar ta bëjë.

Një informacion i rëndësishëm

Marrëdhënia strategjike mes Iranit dhe Asadit nuk është i llojit që pranon shpërbërje. Tani më shumë se kurrë, pra pas zgjedhjes së Trump, interesi i të dy palëve kërkon të vijojë dhe të forcohet. Por ka edhe përpjekje që kryhen për të zvogëluar praninë iraniane në Siri.

Një zyrtar i lartë evropian përcjell se në takimin e parë mes rusëve dhe amerikanëve për rënien dakord rreth një zgjidhjeje politike në Siri, zyrtari rus (jo ai amerikan) mori iniciativën për të thënë: “Ne do të diskutojmë të ardhmen e zgjidhjes politike, por edhe të ardhmen e procesit të paqes mes Sirisë dhe Izraelit”. Ka nga ata që e kuptuan atë si një sinjal rus se përfundimi i luftës dhe konsolidimi i shtetit sirian mund t’i hapin rrugën një zgjidhjeje paqësore në Lindjen e Mesme dhe dhënies fund të rezistencës së armatosur.

Tani, me frytet e para të hapjes egjiptiane me Damaskun, hapje të cilën e përforcon vazhdimësia e disharmonisë egjiptiane-saudite dhe cilësia e marrëdhënieve mes Kajros dhe Moskës, ka nga ata që thonë se përkujdesja arabe ndaj Sirisë duhet të rikthehet për ta larguar atë nga Irani. Sipas informatave të besueshme, udhëheqjes siriane i ka mbërritur më shumë se një ofertë tepër bujare politike e financiare arabe gjatë viteve të luftës, për realizimin e këtij qëllimi.

Duket se të gjithë ofertuesit, që nga Trump e deri te vendet e rajonit, nuk e kanë kuptuar aspak se ku kanë mbërritur marrëdhëniet siriane-iraniane dhe se cilat janë planet e Damaskut, Teheranit dhe Hezbullahut për fazën e ardhshme. Prandaj, ndoshta Izraeli po kërkon të përziejë kartat dhe të shtyjë z. Trump drejt një politike tjetër në Siri, për sa kohë që raketat e Hezbullahut kalojnë përmes saj.

* Kjo analizë është publikuar në f. 3 të gazetës “Al-Safir” të datës 05.12.2016.