Prezantohet kabineti i ri qeveritar i Italisë
Kryeministri i ri i Italisë Paolo Gentiloni ka prezantuar dje pasdite para presidentit italian Sergio Mattarella, listën e ministrave të qeverisë së tij.
Qeveria e re italiane është një qeveri e mazhorancës së Partisë Demokratike e mjaft prej emrave të ministrave të sapo emëruar kanë qenë pjesë e ekzekutivit të dorëhequr të kryeministrit Renzi. Në postin e ministrit të punëve të jashtme, funksion që deri pak ditë më parë e kryente kryeministri Paolo Gentiloni, është emëruar Anxhelino Alfano, ish ministër i punëve të brendshme në qeverinë Renzi dhe lideri i Partisë Nuova Centro Destra (Qendra e Re e Djathtë). Ministër i brendshëm është emëruar Marco Minniti, ish nënsekretar në qeverinë Renzi dhe i deleguar për Shërbimet Sekrete.