Kissinger lavdëron Donald Trump-in
Ish sekretari amerikan i shtetit Henry Kissinger, e ka përshëndetur veprimin e presidentit të zgjedhur të SHBA Donald Trump për zgjedhjen e Rex Tillerson në postin e sekretarit të DASH.
Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, ka lajmëruar se e ka emëruar Rex Tillerson, deri më tani drejtor i gjigantit të naftës, Exxon Mobil, si Sekretar të Shtetit. Kjo zgjedhje mund të ngre një betejë konfrontimi në Senat, me shqetësimet e disa Republikanëve për lidhjet e ngushta të Tillersonit me Rusinë. Presidenti i zgjedhur i SHBA i jep kështu fund spekulimeve të javëve të fundit mbi pasuesin e John Kerrit dhe pavarësisht shqetësimeve të figurave kyçe të Partisë Republikane zgjedh për këtë pozicion një njeri që ka marrëdhënie të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin. Përgjatë 40 viteve të fundit, Tillerson ka lidhur marrëveshje në të gjithë botën. Kolosi i naftës është i pranishëm në 50 vende, përfshirë Rusinë ku është në partneritet me Rosneft. Drejtori i përgjithshëm i “Exxon Mobil”, Rex Tillerson ishte takuar më parë me Donald Trumpin mes spekulimeve se po konsiderohet për postin e Sekretarit të Shtetit. Të tjerë emra ishin lakuar për postin e Sekretarit të Shtetit, mes tyre edhe republikani veteran Mitt Romney. Ndërsa ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut, Rudy Giuliani hoqi dorë nga pretendimet javën e kaluar , pasi marrëveshjet e tij të biznesit kanë ngritur pikëpyetje mbi përshtatshmërinë e tij për postin. Për kryetarin e Komisionit të Forcave të Armatosura, John McCain, kjo çështje është mjaft shqetësuese, e në të njëjtën linjë janë edhe senatorë të tjerë republikanë, si Lindsey Graham e Marco Rubio. Konfirmimi i tij, megjithatë, mund të paraqesë probleme, pasi Rex Tillerson duhet të marrë “dritën jeshile” të Senatit e procesi pritet të jetë i vështirë. Ish sekretari amerikan i shtetit Henry Kissinger ka thënë se është një veprim i mirë i Trump që ka zgjedhur Rex Tillerson në postin e sekretarit të DASH.