Trump dhe Irani: Shenjat e përshkallëzimit mblidhen në horizont
https://parstoday.ir/sq/news/world-i39523-trump_dhe_irani_shenjat_e_përshkallëzimit_mblidhen_në_horizont
Është herët për të konfirmuar tendencat e presidentit të ri amerikan Donald Trump ndaj Iranit, edhe pse fushata e tij elektorale ka dëshmuar sulme të vazhdueshme kundër marrëveshjes “së keqe” bërthamore të arritur mes administratës së presidentit në largim Barak Obama dhe Iranit.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Dhjetor 23, 2016 07:28 Europe/Tirane
  • Trump dhe Irani: Shenjat e përshkallëzimit mblidhen në horizont

Është herët për të konfirmuar tendencat e presidentit të ri amerikan Donald Trump ndaj Iranit, edhe pse fushata e tij elektorale ka dëshmuar sulme të vazhdueshme kundër marrëveshjes “së keqe” bërthamore të arritur mes administratës së presidentit në largim Barak Obama dhe Iranit.

Opinion

Mustafa el-Lebbad

Për hir të së vërtetës amerikane, duhet theksuar se marrëveshja bërthamore mes gjashtë fuqive të mëdha dhe Iranit erdhi në kuadër të vizionit që kishte administrata e Obamas në lidhje me marrëveshjen se ajo do të realizonte një shumëllojshmëri interesash amerikane, dhe për këtë arsye, mbrojtja që i bëri Obama marrëveshjes në Amerikë dhe jashtë saj ishte mbrojtje ndaj interesave amerikane, jo ndaj Iranit dhe të drejtave të tij apo edhe ndaj marrëveshjes bërthamore me të! Sipas të vërtetës amerikane, marrëveshja e ndalon Iranin të posedojë armë bërthamore gjatë kohëzgjatjes së marrëveshjes, pra gjatë pesëmbëdhjetë vjetëve, nëpërmjet disa garancish dhe mbikëqyrjes ndërkombëtare, ashtu siç marrëveshja hap tregjet premtuese iraniane për kompanitë gjigante të huaja, një qëllim ky që nuk mund të arrihej gjatë periudhës së sanksioneve të vendosura ndaj Iranit dhe masave mbrojtëse tregtare të ndërmarra nga Irani për t’u përballur me to. Hapja e tregjeve iraniane për kompanitë e mëdha mund të ndryshojë ekuacionet e fuqisë ekonomike brenda Iranit. Pavarësisht nga përfitimet e përmendura nga nënshkrimi i  marrëveshjes bërthamore me Iranin, dalin në pah dy tregues të rinj përshkallëzimi mes presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump dhe Iranit, të cilët janë: së pari, ekipi bashkëpunëtor i Trumpit dhe së dyti, ligji i ri ndëshkues i miratuar nga Kongresi kundër Iranit.

Ekipi anti-Iran i Trumpit

Ekipi ndihmës i presidentit të zgjedhur ka njoftuar për trendet dhe treguesit e politikës në fazën e ardhshme. Kështu, zgjedhja e Mike Pompeos në krye të CIA-s amerikane, i njohur për kundërshtimin e tij ndaj marrëveshjes bërthamore me Iranin, vjen për të qenë një tregues i shenjave të përshkallëzimit të cilat grumbullohen në horizont. Gjithashtu, zgjedhja e Michael Flynn si këshilltar i sigurisë kombëtare, person ky që është armiqësor ndaj Iranit, mund të konsiderohet si një tregues tjetër përshkallëzimi, po ashtu edhe James Mattis, kandidati për postin e sekretarit të mbrojtjes, i cili beson se Irani po shfrytëzon organizatën terroriste ISIS për të zgjeruar ndikimin e tij (!), është një tregues i sigurt përshkallëzimi. Të tre kandidatët për postin e sekretarit të jashtëm (Rudy Giuliani dhe John Bolton dhe Mitt Romney) gjithashtu e urrejnë Iranin, që do të thotë se ekipi ndihmës i Trumpit për çështjet e sigurisë, mbrojtjes dhe politikës së jashtme do të armiqësohet me Iranin dhe politikat e tij.

Zgjerimi i sanksioneve amerikane ndaj Iranit

Treguesi i dytë i konfrontimit konsiston në miratimin para disa ditësh nga ana e Kongresit amerikan të një projekt-ligji për zgjerimin e sanksioneve amerikane ndaj Iranit, i cili më pas iu dërgua presidentit Obama për nënshkrim. Rezultati i votimit erdhi i qartë (99 kundrejt 0) për zgjerimin e sanksioneve ndaj Iranit për dhjetë vitet e ardhshme dhe që përfshijnë sanksione bankare, sanksione në sektorin e energjisë dhe çështjet e mbrojtjes. Pritet që Obama vetë do ta nënshkruajë projekt-ligjin dhe të përmbahet nga përdorimi i vetos për shkak të rezultatit dërrmues e të qartë të votave. Ligjvënësit amerikanë kanë konsideruar se zgjerimi i sanksioneve i jep në dorë letra të tjera (presioni) administratës amerikane dhe nuk e shkel marrëveshjen bërthamore me Iranin në të njëjtën kohë. Nga ana tjetër, stimuli ekonomik nga heqja e sanksioneve ekonomike ndaj Iranit, përfaqëson forcën kryesore lëvizëse për Teheranin për të bërë përpara me marrëveshjen. Tashmë, zgjerimi i sanksioneve ndaj Iranit, pavarësisht nënshkrimit të marrëveshjes, parë nga perspektiva e Teheranit do të thotë se Uashingtoni është duke aktruar dhe po tërhiqet nga tryeza, duke shkaktuar një efekt të ardhshëm që tashmë është negociuar në fazat e mëparshme.

Ndoshta gjërat duken të lehta në sipërfaqe. Presidenti amerikan ka kompetenca legjislative të nevojshme për të anuluar marrëveshjen, megjithatë, gjërat janë më të komplikuara në thellësi. Marrëveshja bërthamore nuk ishte vetëm një marrëveshje amerikano-iraniane, por një marrëveshje shumëpalëshe ndërkombëtare, mbi të gjitha, e hartuar nëpërmjet një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Nëse supozojmë se Trump do ta anulojë marrëveshjen, prapëseprapë marrëveshja do të mbetet e vlefshme dhe e detyrueshme për pesë vendet e tjera: Rusinë, Kinën, Gjermaninë, Francën dhe Anglinë. Për shkak të karakterit ndërkombëtar dhe universal të marrëveshjes, çështja nuk kufizohet vetëm në marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Teheranit, por do të shtrihet në marrëdhëniet e Amerikës me Moskën, Pekinin, Berlinin, Parisin dhe Londrën. Mbi të gjitha, ka interesa të brendshme ekonomike amerikane që favorizojnë marrëveshjen me Iranin dhe që dëshirojnë të korrin përfitime si rezultat i marrëveshjes. Në qoftë se ne supozojmë se Trump, pavarësisht të gjitha këtyre, do të ndërmarrë hapin për të anuluar marrëveshjen bërthamore me Iranin në mënyrë të njëanshme, atëherë do t’i hapë derën pyetjes: Si do të mundet Amerika të parandalojë Iranin nga zhvillimi i programit të tij bërthamor? Përgjigja mund të ofrojë më shumë se një mënyrë për ta bërë atë: lufta e drejtpërdrejtë me Iranin përjashtohet plotësisht, por parandalimi i Iranit nga korrja e fryteve të marrëveshjes në nivel rajonal dhe presioni më i madh në nivel ekonomik, për të mbërritur madje edhe te turbullimi i pacenueshmërisë së tij të brendshme, janë gjëra që duken të mundshme për amerikanët në epokën e Trump.

Përfundim

Është shumë herët për të konfirmuar parashikimet rreth fatit të marrëdhënieve amerikano-iraniane dhe marrëveshjes bërthamore të Iranit me gjashtë shtetet e mëdha në ditët e ardhshme, por periudha nga tani deri në marrjen në dorë të frerëve të pushtetit nga Donald Trump në njëzet e dy të muajit të parë të vitit të ri do të jetë e pasur në aspektin e ndjekjes së plotësimit të ekipit presidencial dhe të faktit se çfarë mund të konkludohet rreth treguesve të përshkallëzimit që tashmë realisht janë mbledhur në horizont.

 

* Ky opinion është publikuar në gazetën “Es-Sefir” të datës 05.12.2016.