Trump sërish përkrah Izraelin
Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump i ka bërë thirrje regjimit të Izraelit të “mbetet i fortë” derisa ai të marrë zyrtarisht çelësat e Shtëpisë së Bardhë muajin e ardhshëm.
Në shpërthimin e tij të fundit e të paprecedentë në rrjetin social “Twitter”, Trump ka thënë gjithashtu se Izraeli është trajtuar me “përbuzje dhe pa respekt”, gjë që sipas tij duhet të marrë fund. Kritikët e tij kanë nxitur presidentin e zgjedhur të përdorë kanale më konvencionale për të komunikuar mbi çështjet ndërkombëtare, e jo përmes rrjeteve sociale. Zhvillimet e fundit vijnë pas votimit të një rezolute në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, që i ndalonte Izraelit të vijonte me ndërtimin e banesave të reja në kolonitë hebreje në tokat e pushtuara palestineze, që sipas ligjit ndërkombëtar rezultojnë të paligjshme. Kryeministri izraelit Netanyahu dhe zyrtarë të tjerë izraelitë e kanë konsideruar abstenimin e SHBA-ve në Këshillin e Sigurimit, si një tradhti nga presidenti Obama dhe Sekretari i Shtetit John Kerry.