Shtohen sulmet kibernetike ndaj NATO-s
(last modified Thu, 19 Jan 2017 19:42:07 GMT )
Janar 19, 2017 20:42 Europe/Tirane
  • Shtohen sulmet kibernetike ndaj NATO-s

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka deklaruar se, gjatë vitit 2016 u regjistruan 500 sulme kibernetike në muaj ndaj strukturave të Aleancës, duke shënuar një rritje prej 60 për qind krahasuar me një vit më parë.

Në një intervistë për gjermanen “Die Welt”, Stoltenberg ka thënë se, shumica e këtyre sulmeve të kryera ndaj rrjetit të të dhënave të Aleancës kanë qenë të sponsorizuar nga institucione shtetërore.  “Jam jashtëzakonisht i shqetësuar për këto zhvillime. Mbrojtja kibernetike do të jetë një temë e rëndësishme në samitin e ardhshëm të NATO-s. Do të na duhet të avancojmë përpjekjet tona në këtë drejtim”, ka thënë Stoltenberg.  Sekretari i përgjithshëm ka paralajmëruar se, sulmet informatike mund të jenë tej mase të rrezikshme nëse cënojnë rrjetet e energjisë, impiantet e shëndetësisë dhe infrastruktura të tjera me rëndësi kritike. “Ato gjithashtu mund të dëmtojnë kapacitetet mbrojtëse të NATO-s dhe punën e forcave të armatosura. Të gjitha aktivitetet ushtarake sot bazohen në shkëmbimin e të dhënave, kështu që nëse kjo infrastrukturë dëmtohet mund të shkaktojë pasoja serioze”, ka vijuar Stoltenberg.

 

Tags