Trump; Shpenzimet e Amerikës jashtë kufijve janë të tepërta
Presidenti amerikan Donald Trump në ceremoninë e betimit tha se shpenzimi i miliarda dollarëve jashtë Amerikës në një kohë kur ekonomia amerikane është e kalbur, është gabim i madh.
Në fjalimin tradicional pas betimit, të mbushur me prirjet nacionaliste që karakterizuan dhe fushatën e tij, Donald Trump është zotuar se do të fokusohet tek interesat e Uashingtonit, tek forcimi i kufijve të Amerikës, forcimi i infrastrukturës së saj, kthimin në vend të fabrikave të punës dhe zhdukjen e terrorizmit. Burrat dhe gratë e harruara të vendit tonë nuk do të harrohen më. Ju nuk do të injoroheni më, tha Trump para të pranishmëve. “Amerika do të fillojë të fitojë sërish, të fitojë si kurrë më parë. Ne do të kthejmë në atdhe vendet e punës, do të kthejmë kufijtë tanë, do të kthejmë pasurinë tonë dhe do të kthejmë ëndrrat tona”, tha Trump. Në pjesën më të madhe të fjalimit të tij, Trump doli kundër rendit botëror që Shtetet e Bashkuara kanë ndërtuar dhe mbështetur që pas Luftës së Dytë Botërore, duke i mëshuar këtu linjës së tij kundër Kinës, të cilën e cilëson një agresor ekonomik dhe disa vendeve të NATO-s që i cilëson si parazite. Për shumë dekada, ne kemi pasuruar industrinë e huaj në dëm të industrisë amerikane. Kemi mbështetur ushtritë e vendeve të tjera, ndërsa kemi lejuar shterimin e ushtrisë tonë. nga sot e tutje, e para do të jetë vetëm Amerika”, theksoi Trump. Presidenti, që u zotua të rishkruajë apo të anulojë marrëveshjet tregtare, të cilat i fajëson për humbjen e vendeve të punës në Amerikë, u shfaq hapur pro proteksionizmit ekonomik.