Trump dhe fundi i ndikimit amerikan në botë
Që në kohën e zhvillimit të fushatës zgjedhore presidenciale në SHBA, deklaratat e kandidatit fitues të këtyre zgjedhjeve, tashmë presidentit amerikan Donald Trump shpesh janë interpretuar si mundësi e heqjes dorë të SHBA nga investimet marramendëse ushtarake nëpër botë.
Analistë të shumtë politikë shpesh kanë deklaruar se në rast të ardhjes në pushtet të Donald Trump, situata do të ndryshojë për 360 shkallë, edhe pse fitorja e Trump shihej me skepticizëm marrë parasysh deklaratat e tij me tone agresive. Disa të tjerë kanë menduar se Donald Trump në rast të marrjes së fronit, do të ndryshojë komplet strategjinë e tij të cilën e kishte pasqyruar gjatë tubimeve zgjedhore, kryesisht në qendrat kryesore të Amerikës. Por në të vërtetë, edhe pas ceremonisë së inaugurimit të presidentit dhe dhënies së betimit nga Trump, deklaratat e tij qëndruan po në të njëjtën vijë ashtu sikurse edhe gjatë fushatës zgjedhore. Pra, ata të cilët kishin shpresuar se Trump do të ndryshojë qëndrimet e tij, do të jenë totalisht të zhgënjyer. Ai pikërisht në fjalimin e tij të parë si president i SHBA, vazhdoi me diskursin e tij ekstrem dhe tejet 'të rrezikshëm'. Duke ia shtuar kësaj edhe faktin se ai kabinetin e tij qeveritar do ta krijojë kryesisht me figura të vjetra ushtarake të cilët kanë udhëhequr shumë beteja ushtarake nëpër vende të ndryshme të botës, ku nga këto beteja kanë humbur jetën edhe mijëra persona të pafajshëm, Trump konfirmon fuqishëm qëndrimet e tij për një epokë të re të udhëheqjes së SHBA. Donald Trump në deklaratat e tij është shprehur se ka ardhur koha që SHBA të kujdesen për qytetarët amerikanë dhe Amerika më nuk do të investojë shuma marramendëse në aleancën ushtarake veri-atlantike NATO, si dhe do të pengojë shumë kompani të huaja të cilat deri më tani kanë zhvilluar bizneset e tyre në Amerikë që sipas tij kanë cenuar interesin e qytetarëve amerikanë. Kjo e fundit në mënyrë indirekte i është drejtuar Kinës e cila ka zhvilluar një treg të fuqishëm ekonomik deri më tani në SHBA. Duke i pasur parasysh të gjitha këto, Donald Trump duket se ka si qëllim të ndryshojë tërësisht strategjinë e dominimit amerikan në botë. Nga ana tjetër, shumë liderë të fuqishëm evropianë kanë dalur haptazi kundër deklaratave të Trump, duke paralajmëruar se Evropa nuk është e obliguar t'i bindet interesit dhe qëllimeve të Donald Trump dhe se është e aftë të ec vetë pa u varur aspak nga Amerika. Këto deklarata të evropianëve kanë dëshmuar se deri më tani Evropa ka qenë tërësisht e varur nga SHBA dhe nuk ka mundur të marrë asnjë vendim pa konfirmimin e Amerikës. Natyrisht se ardhja në pushtet e Donald Trump në SHBA, u ka hapur rrugën edhe shumë grupeve ekstreme dhe nacionaliste në botë, për të forcuar radhët e veta dhe për të krijuar pushtete duke u bazuar në qëndrimet e tyre centraliste dhe despotike. Nuk duhet harruar faktin se, edhe grupet politike evropiane të cilat deri më tani kanë pretenduar se punojnë për demokracinë, të rebelohen dhe të ndryshojnë mënyrën e tyre të veprimit dhe të qeverisjes, sepse ndjenja për pushtet shpeshherë ka dëshmuar se mund të krijojë kushtet për të vepruar në mënyrë diktatoriale.