Vendimi anti-islamik i Donald Trump
Presidenti amerikan, Donald Trump mohon që të ketë autorizuar një “ndalim” të emigrantëve myslimanë, duke e quajtur veprimin e tij më të fundit vetëm si kufizim të hyrjeve në SHBA të emigrantëve nga vendet me histori terrorizmi.
“Ato janë vende që kanë pasur histori të tmerrshme me terrorizmin”, tha ai për “ABC News” në intervistën e tij të parë si president. Ekipi i Trumpit ka pezulluar programet e vizave dhe refugjatëve që aplikohen për shumë vende me shumicë myslimane në Lindjen e Mesme, mes të cilëve edhe Sirinë e përgjakur nga lufta. Kritikët thonë se urdhri i fundit do të bllokojë myslimanët që përpiqen të largohen nga dhuna e skajshme, për të cilën edhe vet Trump po flet ndërkohë. Rabini Jack Moline, president i Aleancës Ndërfetare e quan këtë një “ndalim de facto të myslimanëve”. “Shtetet e Bashkuara janë lavdëruar ndër vite si një bastion i sigurtë për refugjatët anembanë botës, të cilët përballen me persekutimin dhe konfliktet e përgjakshme”, tha Moline. “Presidenti Trump është i gatshëm që të shkelë mbi këtë trashëgimi, që në aktet e para të rëndësishme në krye të Shtëpisë së Bardhë”. Urdhri i fundit ekzekutiv që ka nënshkruar Trump u ndalon dhënien e vizave njerëzve nga 7 vende të Lindjes së Mesme dhe vendeve të Afrikës së Veriut, nga të cilat, ushtria e tij faktikisht është duke bombarduar 4 prej tyre. Vendet që janë bërë subjekt i ndalimit të përkohshëm të vizave janë Iraku, Siria, Libia, Jemeni, Irani, Sudani dhe Somalia.