Funksionaret evropianë reagojnë ndaj Trump
Kryeministrja britanike Theresa May ka kritikuar vendimin e presidentit amerikan Donald Trump për të ndaluar përkohësisht hyrjen e shtetasve të shtatë vendeve muslimane në SHBA dhe paralajmëroi se do të reagojë nëse nga ky vendim janë ndikuar qytetarët e Britanisë së Madhe.
Vendimin e Trump e kritikoi edhe ministri i jashtëm britanik Boris Johnson, i cili e quajti atë ”të padrejtë dhe diskriminues”. Opinioni britanik ka kritikuar May për shkak se gjatë vizitës së saj zyrtare në Turqi refuzoi të dënojë vendimin e SHBA-ve për pezullimin e pranimit të refugjatëve dhe tha se SHBA-të janë përgjegjëse për politikën e saj në lidhje me këtë çështje. Presidenti i Francës, Francois Hollande, tha se administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, përbën “sfidë” për Evropën. “Natyrisht se duhet të flasim me Donald Trumpin sepse ai është zgjedhur nga amerikanët, por një gjë të tillë duhet ta bëjmë me një bindje evropiane dhe me promovimin e interesave dhe vlerave tona”, tha Hollande në një konferencë të përbashket për media me kancelaren gjermane, Angela Merkel, në Berlin.Merkel, duke mos përmendur Trumpin me emër, tha se “kushtet globale po ndryshojnë në mënyrë dramatike dhe të shpejtë”.“E dimë se jemi së bashku në përballjen me rrezikun e terrorizmit dhe vetëm së bashku mund ta shmangim këtë rrezik”, tha mes tjerash Merkel. Trump ka shqetësuar aleatët tradicionalë evropianë me disa plane radikale politike.