Merkel edhe njëherë ashpër kundër Donald Trump
“Terrorizmi nuk luftohet duke i mbyllur dyert emigrantëve”. Ka qenë kjo kritika e drejtpërdrejtë e kancelares Merkel për Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e cila në një konferencë për mediat dënoi vendimin ekzekutiv që është firmosur nga drejtuesi i Shtëpisë së Bardhë.
Merkel theksoi se ky akt sipas saj nuk është në të njëjtën linjë me principet bazike të parimit për ndihmën që duhet të japë faktori ndërkombëtar për refugjatët. Përplasja mes dy liderëve për këtë çështje ka qenë në një farë mënyrë e pritshme, për shkak të deklaratave të bëra më herët prej tyre. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e ka kundërshtuar hapur politikën e Donald Trump për të bllokuar për një periudhë 90-ditore hyrjen në Shtetet e Bashkuara për personat që vijnë nga shtatë vende me shumicë popullsie myslimane, duke u shprehur se terrorizmi nuk luftohet duke paragjykuar emigrantët. Gjatë një konference të përbashkët me Presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko, Merkel u shpreh se vendimi i fundit i marrë nga administrata amerikane nuk është në të njëjtën linjë me principet bazike të ndihmës ndaj refugjatëve si dhe të bashkëpunimit të faktorit ndërkombëtar në menaxhimin e krizës së azil-kërkuesve. “Beteja e domosdoshme dhe vendimtare kundër terrorizmit, nuk justifikon në asnjë mënyrë vendosjen e grupeve të caktuara njerëzish përballë një dyshimi të përgjithshëm. Në rastin aktual përballë këtyre dyshimeve janë vendosur besimtarët myslimanë si dhe individët që kanë një origjinë të caktuar. Në opinionin tim, ky akt bie në kundërshtim me principet bazike të parimit të ndihmës së faktorit ndërkombëtar për emigrantët si dhe në përpjekjet për të menaxhuar së bashku krizën e emigrantëve”, tha Merkel.