NATO nuk është duke kërkuar konfrontim me Rusinë
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se aleanca dhe administrata e re amerikane pajtohen për nevojën e dialogut me Rusinë "nga një pozicion i forcës".
Stoltenberg tha të martën se në një bisedë telefonike me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe sekretarin amerikan të Mbrojtjes, James Mattis, "ata të gjithë kanë përcjellë mesazhin e njëjtë se SHBA-ja mbetet e angazhuar ndaj NATO-s dhe lidhjes transatlantike". "Mesazhi i administratës së re është se edhe ajo do dialog me Rusinë, por nga një pozicion i forcës", shtoi Stoltenberg. Marrëdhëniet midis NATO-s dhe Rusisë kanë rënë në nivelin më të ulët që nga Lufta e Ftohtë, pasi Moska ka aneksuar gadishullin ukrainas të Krimesë, më 2014.