Senati amerikan i shokuar me nominimet e Trump
Senati amerikan ndodhet aktualisht në kaos pasi që demokratët vonuan konfirmimin e votave ndaj disa të nominuarve të kabinetit të presidentit Donald Trump, duke frustruar republikanët të cilët akuzuan kolegët e tyre për lojëra politike për të minuar administratën e re.
Demokratët në Komisionin e Senatit për Financat bojkotuan votimin të martën për të emëruar Tom Price në postin e udhëheqësit të Departamentit të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore dhe të kandidatit për udhëheqës të Departamentit të Thesarit Steven Mnuchin, i cili është një ish-partner i Goldman Sachs. Në Komitetin Gjyqësor, demokratët refuzuan votimin e avokatit Jeff Sessions, duke i detyruar republikanët për ta shtyrë seancën. Këto pengesa erdhën pas një dite kaotike që kulmoi me shkarkimin e Sally Yates, prokurore e përgjithshme, e cila refuzoi të mbështesë urdhrin ekzekutiv të presidentit amerikan Donald Trump për të ndaluar hyrjen e qytetarëve nga shtatë vende me shumicë myslimane. Trump po ashtu zëvendësoi edhe udhëheqësin e doganave Daniel Ragsdale, pas një fundjave të trazuar. Donald Trump shkarkoi Prokuroren e Përgjithshme në detyrë, Sally Yates, sepse refuzoi të zbatonte urdhrin e tij ekzekutiv mbi emigracionin dhe refugjatët. Yates, e caktuar gjatë kohës kur në krye të Shtëpisë së Bardhë ishte ende Barack Obama, i urdhëroi juristët e Departamentit amerikan të Drejtësisë të mos e vinin në jetë urdhrin, që ka shkaktuar kaos e pështjellim. Në deklaratën e lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, shkarkimi justifikohet me arsyen se kryeprokurorja ka sfiduar një urdhër të ligjshëm, i cili synon mbrojtjen e qytetarëve amerikanë. “Yates praktikisht e ka tradhtuar Departamentin e Drejtësisë”, lexohet aty. Presidenti amerikan kritikoi demokratët në Kongres për refuzimin e votimit të anëtarëve të kabinetit të tij. Po ashtu edhe shumë republikanë kanë shprehur kritika në lidhje me veprimet e Trump. "Këto veprime nuk do të na ndalojnë. Emërtimet e kabinetit do të miratohen. Mendoj se janë duke u dukur shumë qesharak", tha udhëheqësi i shumicës në Senat Mitch McConnel, gruaja e të cilët është caktuar të jetë sekretare e transportit. Senati i Amerikës të martën ka konfirmuar Elaine Chao për postin e sekretares të Departamentit për Transport të Amerikës.