Bllokohet urdhri ekzekutiv i presidentit amerikan
https://parstoday.ir/sq/news/world-i44157-bllokohet_urdhri_ekzekutiv_i_presidentit_amerikan
Mbrëmjen e së premtes, Gjykatësi Federal, James Robart në Seattle urdhëroi bllokimin e përkohshëm të dekretit në rang kombëtar.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Shkurt 04, 2017 16:56 Europe/Tirane
  • Bllokohet urdhri ekzekutiv i presidentit amerikan

Mbrëmjen e së premtes, Gjykatësi Federal, James Robart në Seattle urdhëroi bllokimin e përkohshëm të dekretit në rang kombëtar.

Me vendimin e tij, Robart i doli kundër juristëve të qeverisë që pretendonin se shtetet amerikane nuk janë në pozitën të sfidojnë urdhrat ekzekutive të Trump-it. Gjyqtari federal i Seattle, James Robart, emëruar nga George Bush në vitin 2004, urdhëroi pezullimin e përkohshëm të deportimit dhe ndalimit të hyrjes të të gjithë të prekurve nga urdhri i Presidentit Trump në të gjithë territorin e Shteteve të Bashkuara. Ai doli gjithashtu me një vendim që rrëzon pretendimet e juristëve të administratës Trump, që thonë se shtetet e federatës nuk mund të ndërhyjnë në urdhrin ekzekutiv të Presidentit.“Në bazë të rrethanave dhe provave që u paraqitën sot këtu, gjykata vendos se duhet të ndërhyjë për të përmbushur rolin e saj kushtetues në sistemin tonë qeverisës tripalësh”, shkruan në vendimin e dhënë gjyqtari. Robart shqyrtoi padinë e paraqitur nga shteti i Uashingtonit, të cilit më pas iu bashkua edhe Minesota. Prokurori i Përgjithshëm i Uashingtonit, Bob Ferguson e përshkroi urdhrin si të paligjshëm dhe antikushtetues, i cili diskriminon njerëzit në bazë të besimit të tyre fetar.Padi të ngjashme janë duke u shqyrtuar nga gjykatat edhe në shtete të veçanta, si në Virxhinia, Nju Jork, Masaçusets dhe Miçigan. Shtëpia e Bardhë e cilëson urdhërin si të ligjshëm dhe brenda Kushtetutës. “Urdhri i Presidentit synon mbrojtjen e vendit me autoritetin dhe përgjegjësinë që ka për të mbrojtur qytetarët amerikanë”, thuhet në deklaratën e administratës së Trump. Nisma në fjalë e Donald Trump pezullon për 4 muaj programin e Shteteve të Bashkuara për strehimin e refugjatëve dhe vendos një bllokim të pakufizuar në kohë për të gjithë refugjatët sirianë dhe një pezullim prej 90 ditësh të vizave për shtetasit e Irakut, Iranit, Libisë, Somalisë, Sudanit dhe Jemenit.  Sipas të dhënave të autoriteteve, deri më tani janë bllokuar ose anuluar krejtësisht rreth 60 mijë viza nga shtetas të këtyre vendeve. Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump u zotua se do të anulojë vendimin ligjor që pezulloi ndalimin e hyrjes në SHBA të njerëzve nga 7 vende kryesisht myslimane.Trump sulmoi ashpër gjykatësin James Robart që pezulloi urdhrin ekzekutiv të presidentit, duke e cilësuar atë antikushtetues. Menjëherë pas vendimit të gjykatës, disa kompani ajrore si “Qatar Airlines” apo “Air France” thanë se po lejojnë shtetasit nga vendet që përfshinte urdhri i Trump që të marrin fluturime drejt Amerikës.“Opinioni i këtij të ashtuquajturi gjykatës, i cili i mohon vendit tonë sundimin e ligjit, është qesharak dhe do të anulohet”, shkroi Trump në një mesazh në Twitter”. Sipas mediave amerikane, pritet që administrata të kërkojë një urdhër emergjence në gjykatë, në mënyrë që të aktivizojë sërish ndalimin e udhëtimit për 7 vendet e listës së zezë.  Protestat kundër urdhrit që solli pështjellim e kaos në aeroportet amerikane nuk kanë të reshtur. Megjithatë, njerëzit kanë dalë në rrugët e Sidnejt, Kanbera-s, Njukasëlli dhe Hobartit në Austriali si dhe në ato të  kryeqytetit indonezian Xhakartë për të treguar se janë kundër diskriminimit. Masën e Trump-it e kritikoi ashpër dhe ish-ambasadori irakian në Amerikë, Lukman Faily, i cili e konsideron tejet të padrejtë për popullin e vet dhe të tjerët.