Presidenti amerikan paralajmëron gjykatësin federal të Uashingtonit
Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar ndaj vendimit të gjykatësit të Uashingtonit. Cili do të jetë fati i vendit tonë, kur një gjykatës mund të pezullojë një urdhër që synon garantimin e sigurisë së brendshme?, komentoi presidenti amerikan vendimin e gjykatës.
Sipas tij, gjykatësi po u hapte dyert terroristëve të mundshëm. Ndërkohë, gjatë orëve të fundit janë shtuar fluturimet drejt Shteteve të Bashkuara, teksa shumë prej shtetasve në listën e zezë të Trumpit që zotërojnë një vizë duan të përfitojnë nga dritarja e përkohshme që iu ofroi gjykatësi federal. Gjykata e Apelit në SHBA i ka dhënë një “shuplakë” Donald Trumpit. Ajo rrëzoi kërkesën e apelimit të administratës Trump kundër vendimit të një gjykatësi në Seattle për të bllokuar urdhrin ekzekutiv, që ndalon hyrjen e shtetasve nga 7 vende me shumicë myslimane. Vendimi, që i hap rrugën betejave gjyqësore që do të zgjasin për ditë me radhë, nënkupton se urdhri do të vazhdojë të jetë i pezulluar deri sa e gjithë çështja të jetë shqyrtuar. Shtëpia e Bardhë dhe shtetet që sfidojnë dekretin kanë kohë deri të hënën për paraqitur më shumë argumente. Avokatët e shteteve kontestuese pretendojnë se masa është antikushtetuese, ndërsa për Departamentin e Drejtësisë, shtetet nuk kanë autoritetin të sfidojnë urdhrat ekzekutivë të presidentit Donald Trump, e as të drejtën për të vënë në dyshim gjykimin e tij lidhur me rreziqet qe i kanosen sigurisë kombëtare. Trump, sipas Departamentit të Drejtësisë, gëzon autoritetin e padiskutueshëm për të ndaluar të huajt të hyjnë në vend.