Trump nuk pranon humbjen e betejës me Gjykatën e Apelit
Presidenti amerikan Donald Trump e humbi betejën me Gjykatën e Apelit në San Fransisko për rivendosjen e kufizimit të udhëtimeve.
Ajo vendosi të mos e bllokojë vendimin e gjykatës së një shkalle më të ulët që rrëzonte dekretin polemizues të presidentit të ri për t’i ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara qytetarëve nga 7 vende të konsideruara si potencial terrorizmi. Republikani u përgjigj i zemëruar me një mesazh në Twitter ku deklaronte se siguria kombëtare është në rrezik dhe se do të ketë një sfidë të mëtejshme ligjore. Por, tre gjykatësit që shqyrtuan çështjen e mbrojtën vendimin e tyre unanim me argumentin se qeveria nuk e kishte provuar dot në sallën e gjyqit që kërcënimi terrorist e justifikon ripërtëritjen e dekretit. Kjo do të thotë se shtetasit nga Iraku, Irani, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni, të cilët janë të pajisur me vizë amerikane, do të mund të hyjnë lirisht në SHBA. E njëjta gjë vlen edhe për refugjatët nga e gjithë bota, të cilët urdhri ekzekutiv i Trumpit i bllokonte po ashtu. Çështja me shumë gjasë do të përfundojë tani në Gjykatën Supreme, organizimi më i lartë i këtij lloji në vend. Por presidenti amerikan Donald Trump nuk pranoi humbje dhe deklaroi se nuk ka dyshime, që administrata e tij do t’i fitojë sfidat ligjore ndaj ndalimit të udhëtimeve. “Ne do ta mbajmë vendin tonë të sigurtë dhe do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për këtë. Shumë shpejt do të marrim masa shtesë për sigurinë e vendit dhe këtë do ta shihni që javën e ardhshme. Veç kësaj do të vazhdojmë proceset gjyqësore dhe do ta fitojmë çështjen në fjalë”, tha Donald Trump, president i Amerikës. Trump nuk specifikoi se cilat do të jenë masat shtesë, por komentet e tij u bënë pas pyetjes nëse po konsideronte urdhra të tjerë ekzekutivë. Këto të fundit zbuluan limitin e fuqisë së tyre, kur urdhri për ndalimin e udhëtimit u frenua nga gjykatat. Nga ana tjetër, gjyqtari i zgjedhur nga Donald Trump për të drejtuar Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara është distancuar nga presidenti pas kritikave që ky i fundit i bëri gjyqtarëve në vend. Neil Gorsuch, emërimi i së cilit duhet të aprovohet nga Senati do të ketë nevojë për të paktën 8 vota demokrate për të marrë drejtimin e organit më të lartë të drejtësisë amerikanoveriore. Zhgënjimi i tij me Trump-in, i konfirmuar nga zëdhënësi doli në dritë pikërisht gjatë takimit me një parlamentar të opozitës. “Më shprehu dekurajimin e tij për komentet demoralizuese të presidentit Trump lidhur me gjyqtarët”, tha Detto Richard Blumenthal, senator demokrat i Konektikatit. Kreu i Shtëpisë së Bardhë sulmoi gjykatësit e përfshirë në vendimin për të pezulluar urdhrin që ndalonte udhëtimet nga 7 vende myslimane, duke i quajtur ata të paaftë. “Gjykatat janë aq të politizuara sa do te ishte diçka e madhe për sistemin tonë të drejtësisë nëse ata do të ishin në gjendje të lexonin një deklaratë dhe të bënin gjënë e duhur”, tha Trump. Presidenti i SHBA tha se do të apelojë vendimin: “Kjo është një situatë shumë serioze kështu që ne do ta ndjekim çështjen në Gjykatë”. Për vendimin reagoi edhe ish-rivalja e Trump në garën presidenciale, Hilari Klinton duke shkruar në Twitter “3-0”, referuar këtu vendimit unanim të gjyqtarëve. Fati i urdhrit presidencial pritet të vendoset përfundimisht nga Gjykata e Lartë, e cila ka një vend bosh dhe kandidati i emëruar nga Presidenti së fundmi për ta plotësuar atë, nuk ka të ngjarë të konfirmohet nga Senati në kohë për të votuar për këtë çështje. Gjykata e Lartë aktualisht është me 8 anëtarë, katër me prirje konservatore dhe 4 me prirje liberale. Urdhri ekzekutiv nga ana tjetër ishte i vlefshëm vetëm për 90 ditë dhe ekziston mundësia që afati të skadojë para se Gjykata e Lartë të arrijë të diskutojë për të.