BE merr garancitë nga SHBA
Zv.presidenti amerikan Mike Pence ka paralajmëruar sërish vendet anëtare të NATO-s që të përmbushin detyrimet e tyre sa i takon shpenzimeve për mbrojtjen.
Nga Brukseli, Pence deklaroi se, populli amerikan mund të humbasë durimin me ato vende që nuk realizojnë objektivat. Sidoqoftë, ai garantoi liderët europianë duke thënë se, Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara për bashkëpunim dhe partneritet me Bashkimin Europian. Numri dy i Shtëpisë së Bardhë ndodhet në Bruksel për takime me presidentin e BE-së, Jean Claude Juncker; sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg; si dhe presidentin e Këshillit të Europës, Donald Tusk. Nga ana e tij, Tusk u shpreh se takimi me zotin Pence ishte “vërtet i nevojshëm” pas zërave të shumtë që kanë qarkulluar në muajt e fundit e që vinin në dyshim marrëdhëniet SHBA-BE. Zoti Tusk tha gjithashtu se zv.presidenti Pence kishte shprehur mbështetjen e SHBA për një Europë të bashkuar. Po ashtu, zyrtarë të tjerë europianë thanë për mediat në fund të takimeve se ndiheshin të inkurajuar dhe se kishin marrë nga Pence atë që kërkonin. Por disa të tjerë thanë se dëshirojnë të dëgjojnë të njëjtat fjalë nga presidenti Trump para se të ndihen të sigurtë.