Zgjedhjet në Hollandë, a do të fitojë Trumpi i Hollandës?
Sot hollandezët do t’i drejtohen kutive të votimit për të bërë një zgjedhje përcaktuese për fatin politik të vendit dhe 150 deputetët e parlamentit.
Zgjedhjet e 15 Marsit 2017 në Hollandë janë zgjedhjet më të ndjeshme në historinë e këtij vendi. Hollanda do të mbajë ditën e sot zgjedhjet parlamentare, një proces ku pritet të dalë forcë e parë, partia e ekstremit të djathtë që drejtohet nga Gert Vilders. Kryeministri aktual, Mark Rut, e ka cilësuar si të rrezikshëm rivalin e tij në krye të ekzekutivit, ndërkohë që i ka bërë thirrje elektoratit t’i japë fund trendit populist që ka përfshirë mbarë botën. Sipas Kryeministrit, qytetarët holandezë duhet t’i japin një shembull të mirë qytetarëve francezë dhe gjermanë, të cilët do të shkojnë gjithashtu në zgjedhje gjatë këtij viti. Kandidati që ka premtuar të ndalojë Kuranin, mbylljen e xhamive, daljen nga Bashkimi Evropian dhe ndalimin e politikës së dyerve të hapura për emigrantët është projektuar që të dalë triumfues nga zgjedhjet parlamentare që Holanda do të mbajë ditën e mërkurë. Fjala është për Geert Wilders dhe partinë e drejtuar prej tij PVV, e cila nga sondazhet paraprake, duket se do të lërë pas partinë e qendrës së djathtë VVD që kryesohet nga Kryeministri në detyrë, Mark Rutte. Gjithmonë duke ju referuar sondazheve, PVV e Geert Wilders, pritet të fitojë rreth 25% të votave, krahasuar me VVD-në që me shumë mundësi do të ndalet në shifrën 24%. Në këto kushte, formimi i qeverisë do të varet nga aftësia e liderëve të këtyre dy partive për të tërhequr në boshtin e tyre parti të tjera për të krijuar shumicën e nevojshme parlamentare. Në prononcimin e tij të fundit, Kryeministri Mark Rutte, deklaroi se zgjedhja e Wilders në krye të vendit është një rrezik, por tha se mbetet një skenar më se i mundur. “Besoj se ekziston një rrezik real që më datë 16 Mars të zgjohemi me Geert Wildersin Kryeministër. Diçka e tillë duhet të dërgojë një mesazh në mbarë botën. Më duhet të them se në një situatë të njëjtë me ne është gjithashtu Franca dhe Gjermania. Holanda duhet të bëhet menjëherë shteti i parë që e ndalon këtë trend të gabuar të populizmit.” Nga ana tjetër, edhe Wilders ka nxituar të thotë fjalët e fundit, ndërsa i ka bërë thirrje elektoratit ta votojë ditën e mërkurë. Lideri i partisë së ekstremit të djathtë, ka deklaruar se ka ardhur koha të veprohet sipas vullnetit të qytetarëve dhe jo sipas udhëzimeve që vijnë vazhdimisht nga Brukseli. Zgjedhjet parlamentare të së mërkurës në Holandë zhvillohen nën hijen e sherrit me Turqinë. Prej tij po përfiton si populisti Geert Wilders, ashtu dhe kryeministri Mark Rutte, të cilit ky konflikt i erdhi si dhuratë zgjedhore pak përpara votimit, duke i krijuar mundësinë e shpërfaqjes si lider i fortë e i palëkundur. “Ne vendosëm vijën e kuqe”, ishte deklarata e tij pasi dy ministrave turq iu ndalua fushata në Holandë. Por edhe pse arriti ta nxirrte vendin nga kriza, ekonomia u rrit me 2 përqind dhe papunësia është në kuotën e ulët të 5 përqindëshit, Kryeministri nuk është shumë i preferuar mes holandezëve për shkak të disa premtimeve të pambajtura, siç ishte ai i shtimit të shërbimeve sociale.