Mbi 300 mijë biznese të mbyllura në Greqi
Greqia po mbush vitin e shtatë në një krizë të thellë ekonomike dhe financiare.
Rrugët në qendër të kryeqytetit, deri para pak vitesh shkëlqenin nga pastërtia dhe vitrinat përherë ishin të ndriçuara, tashmë janë të pluhurosura e të braktisura. Në vend të atyre vitrinave plot dritë, që rrezatonin prosperitet, tashmë sheh ngado qepena të mbyllur. Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në dy muajt e parë të 2017-s u mbyllën më shumë se 5.600 biznese, duke e çuar në më shumë se 300.000 numrin e bizneseve të vogla dhe të mesme që nuk mundën t’i rezistojnë krizës dhe u mbyllën në harkun kohor të shtatë viteve. Ndërsa qeveria greke vazhdon negociatat me kreditorët, me objektiv final marrjen e këstit të radhës të kredisë, treguesit ekonomiko-financiarë të vendit mbeten dëshpërues. Greqia është i vetmi vend në BE, që shënoi rënie ekonomike edhe gjatë tremujorit të katërt të 2016-s.