Rusia reagon ndaj politikave të Trump rreth NATO-s
Aleksandër Grushko, përfaqësuesi i Rusisë në NATO, deklaroi se nuk pritet ndryshim në politikat e Amerikës kundrejt aleancës gjatë presidencës së Donald Trump.
Përfaqësuesi i Rusisë tha se në politikat e Amerikës kundrejt NATO do të përcaktohen objektiva të reja siç janë rritja e shpenzimeve ushtarake, zgjerimi i NATO-s dhe pjesëmarrja e kësaj aleancë në luftën kundër ISIS. Donald Trump si gjatë fushatës elektorale si gjatë kohës së futjes në Shtëpinë e Bardhë ka kritikuar gjendjen e NATO-s dhe të aleatëve të Uashingtonit brenda kësaj aleance. Presidenti amerikan është i bindur se Amerika mban peshën më të madhe të shpenzimeve të NATO-s, sepse anëtarët e tjerë nuk paguajnë kuotën e tyre që u takon. Sipas statistikave në vitin 2013 Amerika plotësonte 72% të shpenzimeve ushtarake të NATO-s ndërkohë që në vitin 1995 ajo plotësonte 59% të buxhetit dhe shpenzimeve të kësaj aleance. Pas vizitës mjaft të sikletshme të kancelares gjermane Angela Merkel në SHBA, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Gjermania i detyrohet shuma të mëdha parash NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara, pavarsisht se aleanca nuk i bën pagesa Amerikës. Komentet e tij për këtë borxh të pretenduar lanë në hije takimin mjaft formal me kancelaren gjermane, ndërsa shumë ekspertë thonë se fjalët e Trump tregojnë se komandanti i përgjithshëm i SHBA-ve nuk e ka idenë si funksionon aleanca veri-atlantike. Sipas udhëzimeve zyrtare të NATO-s, vendet anëtare pritet që të shpenzojnë 2% të produktit të brendshëm bruto për mbrojtjen, por aktualisht vetëm 5 anëtarë të aleancës e bëjnë këtë. Në samitin e Uellsit në vitin 2014, anëtarët e NATO-s u zotuan se do të rrisin shpenzimet ushtarake në 2% të GDP-së, një objektiv që konsiderohet joreal dhe i parealizueshëm për disa prej tyre. Kështu që, kontributi i anëtarëve varet nga aftësitë e çdo vendi, prandaj anëtarët e NATO-s nuk kanë asnjë borxh dhe nuk i detyrohen para askujt. Ivo Daalder, ish përfaqësuesi amerikan në NATO nga 2009 deri në 2013, reagoi në Twitter ndaj pretendimeve të Trump, duke shpjeguar se aleanca nuk funksionon siç mendon presidenti. Daadler shkruan se edhe SHBA vendos vetë sa do të shpenzojë për NATO-n dhe fakti që shumë anëtarë kanë vendosur të rrisin shpenzimet për mbrojtjen, nuk do të thotë se do t’i paguajnë para Amerikës apo se po i bëjnë një favor asaj. Sipas ekspertit amerikan, angazhimi i madh që SHBA ka në NATO bëhet për vetë sigurinë e tyre dhe nuk është borxh që të tjerë i kanë Uashingtonit. SHBA, shkruan Daadler ka marrë pjesë në dy luftëra botërore dhe një tjetër të ftohtë në Evropë, liria dhe paqja e së cilës janë jetësore për interesat e Amerikës.