Gjibraltari mund të shkaktojë luftë mes Britanisë dhe Spanjës
https://parstoday.ir/sq/news/world-i48144-gjibraltari_mund_të_shkaktojë_luftë_mes_britanisë_dhe_spanjës
Qeveria e Spanjës i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që t’ia mbajë anën Madridit sa i përket të ardhmes së territorit britanik të Gjibraltarit, i cili shtrihet në cepin jugor të gadishullit Iberik dhe të cilin Spanja për një kohë të gjatë kërkon ta rimarrë.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Prill 02, 2017 14:43 Europe/Tirane
  • Gjibraltari mund të shkaktojë luftë mes Britanisë dhe Spanjës

Qeveria e Spanjës i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që t’ia mbajë anën Madridit sa i përket të ardhmes së territorit britanik të Gjibraltarit, i cili shtrihet në cepin jugor të gadishullit Iberik dhe të cilin Spanja për një kohë të gjatë kërkon ta rimarrë.

Ministri i Jashtëm i Spanjës, Alfonso Dastis, ka thënë për gazetën spanjolle “El Pais” se Madridi insiston se duhet t’i lejohet përdorimi i vetos ndaj çfarëdo marrëveshjeje sa i përket enklavës strategjike, derisa Britania përgatitet që të shkëputet nga BE-ja. “Kemi folur me anëtarët dhe institucionet e BE-së këto javët e fundit dhe e kemi bërë të qartë pozicionin e Spanjës: kur Britania të largohet nga BE-ja, vendi anëtar i BE-së është Spanja, dhe në rastin e Gjibraltarit, BE-ja është e obliguar që t’ia mbajë anën Spanjës,” ka thënë Dastis. Por i menjëhershëm dhe i ashpër ka qenë reagimi i Londrës. Kryeministrja britanike Theresa May duhet të përgatitet për të nisur një task forcë të stilit të ishujve “Falklands” për të mbrojtur Gjibraltarin, ka thënë ish-lideri i Partisë Konservatore, Lord Howard. Howard ka thënë se kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, do ta tregojë vendosmërinë e njëjtë në mbrojtjen e Shkëmbit të Gjilbrartarit, ngjashëm siç kishte bërë edhe Margaret Thatcher në Atlantikun Jugor – kur tensionet shpërthyen në luftën e vitit 1982 për ishujt “Falklands”. Ai i bëri këto komente pasi BE-ja tha se Spanjës duhet t’i jepet pushtet për të përdorur veto kundër çfarëdo marrëveshje të “Brexit” që vlen për Gjibraltarin. Por, May ishte e shpejtë për t’i qetësuar gjakrat, duke i telefonuar shefit të qeverisë së Gjibraltarit, Fabian Picardo, mëngjesin e sotëm pasi ai e cilësoi përgjigjen e BE-së si “shuplakë fytyrës”. “Tridhjetë e pesë vite më parë, një grua tjetër kryeministre e dërgoi një task forcë për ta mbrojtur lirinë e një grupi tjetër të vogël të qytetarëve britanikë kundër një vendi tjetër spanjoll-folës. Jam i sigurt se kryeministrja [Theresa May] do ta tregojë vendosmërinë e njëjtë,” ka thënë ai për Sky News.