Pence në Seul, Trump gati të sulmojë Phenianin
Nënpresidenti amerikan Mike Pence ka arritur në Korenë e Jugut, që shënon nisjen e turneut të tij dhjetëditor në rajonin e Azi-Paqësorit, pas rritjes së tensioneve në Korenë e Veriut për shkak të programit të armëve bërthamore.
Pence ka arritur në Seul sot, pas njoftimit nga Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara se Veriu ka dështuar të lansojë një raketë. Pence, që shoqërohej nga gruaja e tij Karen, vendosën kurora me lule në Varrezat Kombëtare në Seul, gjatë një ceremonie. Ai pritet që të marrë pjesë në shërbimet kishtare së bashku me trupat amerikane dhe jugkoreane. Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump është gati të godasë komplekset bërthamore të Koresë së Veriut, shkruan sot “Sunday Times”, duke cituar për këtë pohim të saj këshilltarë të ngushtë ushtarakë të presidentit amerikan. Të njëjtat burime këmbëngulin se Amerika e ka fuqinë të neutralizojë programin atomik të vendit komunist, e mund të ndërmarrë edhe ndonjë sulm paraprak. Presidenti amerikan, Donald Trump, kur u pyet nga gazetarët gjatë kësaj jave për Korenë e Veriut tha : “Koreja e Veriut është problem. Problemi do të zgjidhet”.