Trump mund të nënshkruajë urdhra të rinj ekzekutivë
Presidenti amerikan Donald Trump pritet të nënshkruajë të paktën katër urdhra ekzekutivë këtë javë, duke u bërë kështu presidenti që nënshkruan më shumë urdhra të tillë (28) në 100 ditët e para në detyrë se çdo paraardhës i tij pas Frenklin Ruzveltit.
Një analizë e faqes elektronike “Politifact” tregon se ish-Presidenti Ruzvelt ka nënshkruar 76 urdhra ekzekutivë në 100 ditët e para në detyrë në vitin 1933. “Presidenti Trump ka nënshkruar një numër rekord urdhrash ekzekutivë”, tha të hënën zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer. Të 28 urdhrat ekzekutivë që ka nënshkruar zoti Trump që kur mori detyrën më 20 janar, kanë pasur kryesisht si synim reformimin e sistemit regullator, kufizimin e kalimit të paligjshëm të kufirit dhe hapjen e vendeve të punës. Shumë prej tyre nuk kanë pasur një efekt të menjëhershëm, por kanë shënuar fillimin e një procesi rishikimi që mund të sjellë ndryshime në të ardhmen. Katër urdhrat që zoti Trump do të nënshkruajë këtë javë, e çojnë numrin e përgjithshëm në 32, përfshirë një urdhër që bën thirrje për rishikimin e Ligjit të Antikiteteve të vitit 1906, që lejon një president të mbrojë territore me vlerë historike apo shkencore duke i shpallur monumente kombëtare. Presidenti Barack Obama e kishte përdorur shpesh këtë ligj, së fundmi në dhjetor të vitit të kaluar, disa javë para se t’i mbaronte mandati, kur ndaloi shpimet e naftës në një territor prej 650 mijë hektarësh në Nevada dhe Utah, që mendohet se është i pasur me objekte hitorike të indianëve të Amerikës. Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë nuk e përmendi me emër administratën e Presidentit Obama, duke thënë vetëm se “administrata të mëparshme e kanë përdorur më shpesh se ç’duhet ligjin, duke përfshirë hapësira të mëdha toke, shumë më tepër se sa është e nevojshme për t’u mbrojtur”. Një tjetër urdhër vë në lëvizje të ashtuquajturën Strategji për Shfrytëzimin e Burimeve Energjitike Ujore, që përfshin një rishikim të politikave të energjisë kryesisht nga presidenca e zotit Obama, që kufizonin numrin e objekteve për eksplorim dhe shpim për naftë dhe gaz në det. Presidenti Trump e kishte akuzuar shpesh zotin Obama gjatë fushatës presidenciale se kishte anashkaluar procesin legjislativ përmes urdhrave ekzekutivë, duke vendosur rregulla që nuk do të ishin miratuar dot në Kongresin e mbizotëruar nga republikanët e opozitës.