Katalunja kërkon pavarësi
https://parstoday.ir/sq/news/world-i52822-katalunja_kërkon_pavarësi
Katalunja e përshkallëzon sfidën e saj separatiste me shpalljen e referendumit të pavarësisë më 1 tetor të këtij viti.
(last modified 2026-03-28T22:46:51+00:00 )
Qershor 09, 2017 21:36 Europe/Tirane
  • Katalunja kërkon pavarësi

Katalunja e përshkallëzon sfidën e saj separatiste me shpalljen e referendumit të pavarësisë më 1 tetor të këtij viti.

Qeveria spanjolle është zotuar të bëjë ç’është e mundur për të parandaluar mbajtjen e votimit të shumëdiskutuar plebishitar, të cilin e konsideron të paligjshëm. Por mekanizmi, ndërkohë, është vënë në lëvizje. “Pyetja që do t’ju shtrohet votuesve është nëse duan që rajoni të bëhet shtet i pavarur në formën e një republike. Referendumi do të mbahet më 1 tetor. Qeveria jonë ka një angazhim të padiskutueshëm demokratik për organizimin e tij. Kryeministri spanjoll nuk ka bërë asgjë serioze, të sinqertë, apo reale për zgjidhjen e kësaj çështjeje”, tha Carles Puigdemont, kryetar i qeverisë së Katalunjës. Ekzekutivi rajonal pro sovranitetit këmbëngul se zona e pasur në verilindje të Spanjës ka të drejtën e vetadministrimit politik, ekonomik dhe kulturor. Madridi zyrtar është kategorikisht kundër shkëputjes. “Mund ta shpallin referendumin sa herë të duan, - tha zëvendëskryeministrja spanjolle, Soraya Sàenz de Santamaria, - por ai nuk ka për të ndodhur”. Mbi 80% e pjesëmarrësve të një votimi simbolik 3 vite më parë zgjodhën mëvetësinë. Qendrave të votimit në atë rast iu drejtuan vetëm 2.3 milionë zgjedhës, nga 5.4 milionë që shënon elektorati katalanas. Këtë herë, megjithatë, qeveria e atjeshme këmbëngul se rezultati do të jetë ligjërisht detyrues.