Rritet numri i viktimave në Londër
Të paktën 58 njerëz janë shpallur të zhdukur dhe mendohet se kanë humbur jetën në katastrofën e kullës Grenfell në Londër.
Kjo shifër përfshin 30 viktima e konfirmuara si pasojë e zjarri të frikshëm që përpiu bllokun e apartamenteve në perëndim të Londrës të mërkurën. Komandanti i policisë metropolitane, Stuart Cundy tha se numri i viktimave mund të rritet dhe se operacionet mund të zgjasin disa javë, ndërsa premtoi një hetim të plotë. "Ky është hetim i policisë dhe ne hetojmë çështje kriminale. Hetimi do të identifikojë çdo krim të mundshëm dhe do të përfshijë gjithçka. Do të zbulojmë pse zjarri nisi dhe si u përhap. Do të inspektojmë godinën dhe rinovimine saj", tha ai. Mediat britanike ndërkohë raportojnë se pritet që numri i të humburve, rrjedhimisht viktimave të kalojë 70. Të afërm të viktimave, banorë të kullës dhe vullnetarë u takuan për rreth 2 orë e gjysmë me kryeministren Theresa May në zyrën e kësaj të fundit, pas sulmeve verbale që kreu i ekzekutivit mori një ditë më parë kur nuk takoi asnjë prej tyre. Pjesëmarrësit në takim nuk thanë se për çfarë u diskutua, por premtuan se do të shpallin së shpejti kërkesat dhe pritshmëritë e tyre. Ajo që duket qartësisht është reagimi kaotik dhe i papërshtatshëm i autoriteteve lokale pas tragjedisë, pasi banorët e ndërtesës së djegur janë ende të pastrehë, identifikimi dhe gjetja e viktimave çalon ndjeshëm dhe asnjë plan i qartë nuk është publikuar. Banorë të komunitetit thanë se nuk duan që bashkia e Kensingtonit dhe Chelsea të jetë e përfshirë ne operacione, pasi as vetë zyrtarët e saj nuk kanë besim se mund të përballen me pasojat e tragjedisë.