Deklarata e grupit G-20
Takimi i ditës së premte i grupit G-20 ka përfunduar punimet duke u përqendruar në luftën kundër terrorizmit dhe pengimin e burimeve financiare për terrorizmin.
Pjesëmarrësit në këtë takim dënuan ashpër sulmet terroriste në të gjithë botën dhe theksuan në rëndësinë e unitetit për luftën kundër terrorizmit. Anëtarët e grupit G-20 paralajmëruan marrjen e masave për të penguar rrjetet sociale që ato të përdoren nga terroristët. Samiti mbahet në kohërat më të vështira të dekadave të fundit për shkak të luftërave të shumta, krizave dhe mosmarrëveshjeve mes vendeve më të mëdha në botë. Vetë mikpritësja e tij, Angela Merkel është përpjekur t’i ulë pritshmëritë nga ky event, duke paralajmëruar që prej tij të mos shpresohet ndonjë mrekulli apo marrëveshje epokale. Mbrëmjen e së enjtes ajo u takua me Presidentin amerikan Donald Trump, në përpjekje për të tejkaluar dallimet, por pa ndonjë sukses të madh. Ndër temat më të trajtuara në samit do të jenë gjendja në Afrikë, tensionet në raportet me Korenë e Veriut dhe mundësia e një lufte të re atje, lufta në Siri, lufta në Ukrainë, lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar, refugjatët si dhe dalja e SHBA-së nga Marrëveshja e Parisit për Klimën. Për të garantuar sigurinë e samitit të krerëve të vendeve më të rëndësishme të botës janë angazhuar, sipas të dhënave zyrtare, rreth 20 000 forca të sigurisë, 28 helikopterë, 185 qen të specializuar, 40 makina me topa uji e 3000 makina policore. Pavarësisht masave të marra nga autoritetet, organizatorët e protestave duken të vendosur t’i vazhdojnë aksionet e tyre deri në përfundim të takimit, mbrëmjen e së shtunës.