Fillon raundi i dytë i negociatave për Brexit
Të dërguarit britanikë dhe europianë nisën të hënën raundin e parë të negociatave për divorcin e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian.
Të dyja palët thonë se është koha të bisedohet deri në detaje. Liderët e BE-së do të donin të minimizojnë problemet ekonomike dhe sociale në Europë, ndërsa ekonomia e dytë më e madhe e bllokut po tenton të shkëpusë lidhjet me kontinentin pas katër dekadash. Kryenegociatori i BE, Majkëll Barnier do të bëjë presion mbi Sekretarin Britanik për Brexit-in, David Davis, që të pranojë që Britania të përmbushë angazhimet thelbësore dhe ekzistuese dhe të ofrojë më shumë detaje mbi axhendën e saj. Ata shtrënguan duart para kamerave në zyrat e Komisionit Europian para një seance të parë të plotë të katër ditëve bisedime. “Ne patën një start të mirë muajin e kaluar, por tani po hyjmë në thelbin e çështjes. Çështja e të drejtave të qytetarëve, e financave, ajo e problemeve të ndarjes dhe sigurisht, Irlanda e Veriut janë katër kategoritë kryesore. Për ne është shumë e rëndësishme që të arrijmë progres, të negociojmë dhe të identifikojmë dallimet në mënyrë që të përballemi me to. Tani, është koha për të përveshur mëngët dhe për ta bërë këtë një proces të suksesshëm”, deklaroi sekretari britanik për shkëputjen, David Davis. “Ne duhet të ekzaminojmë dhe krahasojmë pozicionet tona respektive në mënyrë që të arrijmë progres. Grupet tona të negociatorëve do të punojnë për të drejtat e qytetarëve, marrëveshjen financiare dhe çështjet e tjera”, tha negociatori i BE-së, Michael Barnier. Të dy kryenegociatorët nuk bënë komente të mëtejshme dhe thanë se do ta informonin median të enjten, pasi ekipet e tyre të përmbyllnin katër ditët e para të bisedimeve. Bashkimi Europian tha se bisedimet për “Brexit” mund të dëmtohen ndjeshëm, madje të dështojnë, si pasojë e përballjes së ashpër për çështjet financiare. Tensioni në këtë pikë u rrit ndjeshëm, pasi ministri i Jashtëm britanik, Boris Johnson deklaroi shprehimisht se udhëheqësit e BE-së mund të shkojnë të vërshëllejnë, nëse presin që Britania të paguajë faturën e divorcit. Gjatë komentit të tij në Parlamenti britanik, Johnson tha se fatura e kërkuar nga BE-ja është thjesht zhvatje. I menjëhershëm ishte reagimi i kryenegociatorit europian, Michel Barnier, i cili tha se nuk ka dëgjuar vërshëllima, por vetëm kohën që po kalon. Të hënën nisi raundi i radhës i bisedimeve mes Brukselit dhe Londrës, ndërsa Sekretari britanik për “Brexit”, David Davis nuk ka paraqitur ende pozicionin formal të Britanisë për shumën e ndarjes, që disa e llogarisin në 100 miliardë euro. Zyrtarët e BE-së ngulin këmbë se Britania duhet të pranojë parimisht detyrimet financiare, pasi nëse nuk e bën, nuk mund të vazhdojnë negociatat për çështje të tjera, si raportet e ardhshme dhe tregtia. Kryenegociatori i BE-së theksoi sërish se fatura e “Brexit” nuk është haraç dhe as ndëshkim, por thjesht detyrimet që Londra ka marrë përsipër si pjesë e BE-së. Ai shtoi se, nëse Britania nuk e respekton këtë, negociatat nuk kanë më kuptim, pasi është e pamundur të ndërtohen lidhje tregtare apo në fusha të tjera me një vend tek i cili BE-ja nuk ka besim. Ekspertët thonë se, veç financave, çështje tejet problematike janë të drejtat e qytetarë reciprokë dhe kufiri me Irlandën e Veriut, ku BE-ja dhe Britania kanë pozicione të kundërta, gjë që i bën negociatat të fundosen ende pa nisur mirë.