Vazhdojnë protestat anti-qeveritare në Venezuelë
https://parstoday.ir/sq/news/world-i55896-vazhdojnë_protestat_anti_qeveritare_në_venezuelë
Miliona venezuelas iu bashkuan protestës së përgjithshme të organizuar nga opozita, ndërsa presionet ndaj Presidentit Nikolas Maduro për anulimin e zgjedhjeve për asamblenë e re kushtetuese po rriten gjithmonë e më shumë.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Korrik 23, 2017 03:34 Europe/Tirane
  • Vazhdojnë protestat anti-qeveritare në Venezuelë

Miliona venezuelas iu bashkuan protestës së përgjithshme të organizuar nga opozita, ndërsa presionet ndaj Presidentit Nikolas Maduro për anulimin e zgjedhjeve për asamblenë e re kushtetuese po rriten gjithmonë e më shumë.

Të paktën 3 persona humbën jetën si pasojë e përleshjeve mes policisë dhe protestueseve, mbi 360 të tjerë u arrestuan.  Maduro tha se pjesëmarrja në grevë ishte minimale dhe se liderët e saj do të arrestoheshin. Protestuesit bllokuan rrugët në kryeqytetin Karakas dhe qytetet e tjera me mbeturina dhe mobilje. Opozita tha se 85 përqind e vendit iu bashkua grevës, por në zonat proqeveritare jeta vazhdoi si zakonisht me dyqanet e hapura dhe rrugët e populluara me njerëz. Në disa qytete policia hodhi gaz lotsjellës gjatë përleshjeve me protestuesit. Një viktimë u raportua në periferi të Karakasit, ndërsa dy të tjerë vdiqën në qytetin verior të Valencias. Kolumbia, Franca, Spanja, SHBA dhe BE i bënë thirrje qeverisë venezualiane të anulojë votimin për asamblenë e re kushtetuese më 30 korrik. Por Maduro i ka refuzuar thirrjet. Në një fjalim televiziv ai e cilësoi si një triumf faktin se sektorët kyç nuk i ishin bashkuar grevës. "Puna, dashuria, jeta dhe shpresa triumfuan. Ata nuk kanë punuar kurrë dhe le të vazhdojnë në rrugën e tyre. Ne do të bëjmë përpara. Kam urdhëruar arrestimin e të gjithë fashistëve terroristë", deklaroi ai.