Gjykata britanike refuzon hetimin e Tony Blair
Gjykata e Lartë britanike ka bllokuar përpjekjen për të hetuar ish-kryeministrin Tony Blair mbi luftën e Irakut. Ish-gjenerali irakian, Abdul Wahed Shannan Al Rabbat e kishte akuzuar ish-kreun e ekzekutivit britanik për kryerjen e krimit të agresionit duke pushtuar Irakun në vitin 2003.
Sipas kësaj gjykate, një krim i tillë nuk ekziston në Angli apo Uells. Gjenerali kishte kërkuar hetimin e Blairit, ish-Sekretarit të Jashtëm Jack Straw, si dhe ish-kryeprokurorit të Përgjithshëm, Lord Goldsmith. Vitin e kaluar, gjykata “Westminster Magistrates” kishte refuzuar kërkesën e Al Rabbat për të nisur një hetim privat. Për këtë arsye, ai kërkoi një rishikim gjyqësor, në përpjekje për të mbërritur deri te Gjykata Supreme, më e larta në Britaninë e Madhe, për të kthyer vendimin e vitit 2006 të Dhomës së Lordëve, sipas të cilit nuk ekzistonte një krim i tillë si ai i agresionit bazuar në ligjet e Anglisë dhe Uellsit. Kryeprokurori i Britanisë kishte ndërhyrë më herët në këtë rast, duke nxitur Gjykatën e Lartë të bllokonte këtë padi me justifikimin se ishte diçka e pashpresë. Duke reaguar tashmë pas vendimit, një zëdhënës i zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm tha se rasti në fjalë ka ngritur “çështje të rëndësishme mbi fushëveprimin e ligjeve penale”.