Vazhdon dhuna në Amerikë
Një person ka vdekur dhe 19 të tjerë u plagosën kur një makinë përplasi një turmë njerëzish që kundërshtonin një tubim të së djathtës në shtetin amerikan të Virxhinias.
Ngjarja ndodhi kur njerëzit po largoheshin nga zona, pasi policia e quajti demonstratën të paligjshme. Gjatë protestës pati mjaft incidente dhune mes demonstruesve dhe atyre anti-demonstruesve. Guvernatori i shtetit Virxhinia Terry McAuliffe njoftoi në Twitter se kishte shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për të ndihmuar autoritetet “t’i përgjigjeshin dhunës në tubimin e alternativës së djathtë,” siç quhen grupet me pikëpamje të djathta ekstreme. Aktet dhe retorika në Sharlotsvil gjatë 24 orëve të kaluara janë të papranueshme dhe duhet të ndalen. E drejta e fjalës nuk është e drejtë për dhunë,” shkruante ai në Twitter. FBI-ja, Seksioni i të Drejtave Civile pranë Departamentit të Drejtësisë kanë hapur një hetim lidhur me goditjen e turmës me makinë gjatë një proteste të ndodhur dje kundër një demonstrate të nacionalistëve të bardhë në Sharlotsvil të Virxhinias. Policia tha se kishte arrestuar shoferin e makinës, duke e identifikuar atë më vonë si James Alex Fields Jr, 20 vjeç nga Ohajo. Fields po mbahet si i dyshuar për vrasje të shkallës së dytë.