Kundërshtimi i ashpër i Spanjës ndaj pavarësisë së Katalonjës
Kryeministri i Spanjës Mariano Rajoy, i ka kërkuar udhëheqësit katalanas Carles Puigdemont që të konfirmojë nëse e ka shpallur Pavarësinë e Katalonisë.
Ky veprim është hapi i parë drejt aktivizimit të nenit 155 për të pezulluar autonominë e Katalonisë. Të martën, Puigdemont nënshkroi deklaratën e Pavarësisë, por ka ndaluar zbatimin e saj për t’u lëshuar vend bisedimeve. Rajoy akuzoi Puigdemont për krijimin e “konfuzionit të qëllimshëm” dhe tha se do që të rivendosë “sigurinë”. “Kjo thirrje vjen para ndërmarrjes së masës të cilën qeveria mund ta miratojë sipas nenit 155 të kushtetutës sonë e cila kërkon t’u ofrojë qytetarëve qartësinë dhe sigurinë”, tha ai. “Është nevojë urgjente për t’i dhënë fund situatës që po kalon Katalonia, për ta kthyer sigurinë, qetësinë dhe ta bëjë këtë sa më shpejt që të jetë e mundur”, shtoi kryeministri spanjoll. Këto deklarata Rajoy i bëri pas mbledhjes urgjente të kabinetit për diskutimin e hapave të ardhshëm të qeverisë. Zëvendëskryeministri i Spanjës e përshkroi z. Puigdemont si një person “i cili nuk e di se ku është, e ku po shkon”. Disa zëra nga qeveria e Spanjës e cilësuan deklaratën e Puigdemnt si “shantazh për shtetin të transmetuar drejtpërdrejt në televizion”. Ndërkohë, Senati spanjoll ka thënë se ka filluar përgatitjet për të vënë në fuqi nenin 155, por procesi ligjor nuk do të fillojë derisa të merret një përgjigje nga lidershipi katalanas. Spanja ka qenë në trazirë që nga një referendum i diskutueshëm më 1 tetor i cili u shpall i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese e vendit. Duke iu drejtuar parlamentit katalan në Barcelonë, Puigdemont tha se rajoni autonom kishte fituar të drejtën për të qenë i pavarur si rezultat i votimit. Kryebashkiakja e Barcelonës Ada Cpolau, i ka bërë thirrje presidentit Puigdemont dhe kryeministrit spanjoll Mariano Rajoy të zgjidhin sa më parë me dialog krizën që ka përfshirë dy palët. Ajo u ka bërë thirrje të dyja palëve që të mos marrin vendime të cilat do të mund të shkatërronin mundësinë për dialog dhe ndërmjetësim. Shumë biznese në Katalonjë kanë kërcënuar se do të braktisin vendin nëse Puidemont do të shpallë shkëputjen nga Spanja, duke sjellë kështu rrezik për krizë ekonomike. Katalonja është një nga rajonet më të pasura të Spanjës, që përbën një të katërtën e eksporteve të vendit. Përpjekja e udhëheqësve të Katalonjës për të fituar pavarësi nga Spanja duket se nuk është përkrahur nga asnjë vend europian. Franca dhe Gjermania janë dy nga vendet europiane të cilat kanë apeluar kundër shkëputjes së Katalonjës duke bërë të qartë mbështetjen e tyre për unitet të Spanjës. Bashkimi Europian ka deklaruar se nëse Katalonja nuk do të jetë më pjesë e tij, nëse do të ndahet nga Spanja. Sidoqoftë, Presidenti katalanas Puigdemont ka thënë se do të deklarojë pavarësinë, pavarësisht kundërshtimit të ashpër të Spanjës dhe kritikave nga qeveritë evropiane. Ai mund t’i kërkojë parlamentit të deklarojë pavarësinë në bazë të ligjit të referendumit që e miratoi muajin e kaluar, gjë që mund të detyrojë qeverinë spanjolle të pezullojë decentralizimin, duke vepruar sipas nenit 155 të Kushtetutës.