Rritet mosbesimi ndaj presidentit Trump në SHBA
Pas fyerjeve të shkëmbyera në Twitter me presidentin amerikan, senatori republikan i Tenesit, Bob Corker e sulmoi ashpër Donad Trump-in, në një intervistë për CNN, në Capitol.
Ai e akuzoi kreun e Shtëpisë së Bardhë se kishte gënjyer në një seri intervistash televizive. Sipas tij Trump e kishte poshtëruar SHBA-në dhe kishte dobësuar pozitat e saj botërore. “Ai nuk është i denjë për të qenë president amerikan. Ka cënuar marrëdhëniet tona përreth botës dhe ka qenë i padobishëm për SHBA-të. Mendoj se ai do të mbahet mend kryesisht për poshtërimin e vendit tonë”, tha Bob Corker. Komentet vijnë mes sulmeve të Trumpit kundër Corker, në rrjetin social Twitter. Numri një i Washigtonit shkroi në platformën e tij të preferuar se akuzat e republikanit motivohen nga mungesa e mbështetjes për rikandidimin e tij. Senatori ka njoftuar se do të tërhiqet pas përfundimit të mandatit, me argumentimin se nuk e mbështet modelin aktual të legjislativit. Corker është kreu i komisionit të senatit për marrëdhëniet me jashtë. Jeff Flake, senator republikan i Arizonës deklaroi se sjellja e shkujdesur, fyese dhe aspak dinjitoze e numrit një të qeverisë ishte një rrezik për demokracinë. Vet Trump e ka quajtur më parë senatorin Flake “një njeri toksik”. Në fjalimin e tij përpara Senatit, Flake kishte thënë se mund të mos ketë më vend për një republikan si ai në Partinë e sotme Republikane. “Nuk më pëlqen ta kritikoj presidentin, – tha senatori, – por e ndiej se duhet ta bëj një gjë të tillë, i shtyrë nga përgjegjshmëria dhe ndërgjegjja”. Trump u takua më herët me republikanët në Senat, me shpresën t’i bindte të miratonin planet e tij për uljen e taksave mbi korportatat dhe shtresën e mesme, e pikërisht aty shkëmbeu edhe deklarata thumbuese me Corkerin. Ndërsa i drejtohej takimit, një burrë hodhi drejt tij një flamur rus e thirri me të madhe “tradhtar”. Ndërkohë, ish-kandidatja demokrate për presidencën amerikane, Hillary Clinton mori hov nga tensionet mes Partisë Republikane lidhur me Donald Trump, e bëri thirrje që edhe politikanë të tjerë – veç dy senatorëve rebelë – të bëjnë përpara me bindjen se “Kombi duhet vendosur mbi partinë”. “Shtëpia e Bardhë po e ndien presionin, ashtu siç po e ndiejnë republikanët në Kongres. Kemi Bob Corker, e pas tij edhe Jeff Flake, që praktikisht po thonë se nuk e durojnë dot më këtë situatë. E nëse do të ketë edhe njerëz të tjerë që do të vënë interesat kombëtare përpara atyre partiake, mendoj se do të mund të shohim vërtet disa ndryshime pozitive”, tha Clinton.