Fundi i lotarisë amerikane?
https://parstoday.ir/sq/news/world-i62118-fundi_i_lotarisë_amerikane
Shtëpia e Bardhë thotë se propozimi për t’i dhënë fund “programit të Lotarisë së Diversitetit ishte që më parë i përfshirë në parimet e reformës së imigracionit që Shtëpia e Bardhë ka dorëzuar në Kongres, dhe është përfshirë në projekt-ligjin RAISE, që Presidenti e ka mbështetur”.
(last modified 2026-06-18T18:22:28+00:00 )
Nëntor 03, 2017 14:30 Europe/Tirane
  • Fundi i lotarisë amerikane?

Shtëpia e Bardhë thotë se propozimi për t’i dhënë fund “programit të Lotarisë së Diversitetit ishte që më parë i përfshirë në parimet e reformës së imigracionit që Shtëpia e Bardhë ka dorëzuar në Kongres, dhe është përfshirë në projekt-ligjin RAISE, që Presidenti e ka mbështetur”.

Sqarimi erdhi nga një zyrtar pas shqetësimeve të ngjallura në vendet ku ky program është popullor. Në fakt projektligji është paraqitur në Senat në shkurt të këtij viti, dhe në të thuhet se “projekt-ligji e ndryshon Ligjin për Imigracionin dhe Shtetësinë, duke e eliminuar kategorinë e vizave të diversitetit”. Projekt-ligji ndodhet në Komisionin e Ligjeve të Senatit, në pritje për t’u diskutuar. Procesi është i tillë që kur të bëhet diskutimi, anëtarët propozojnë ndryshimet e tyre dhe votojnë nëse t’i përfshijnë ose jo këto ndryshime në variantin përfundimtar. Në Dhomën e Përfaqësuesve nuk po diskutohet ende, megjithëse një variant i ngjashëm i quajtur Projekt-ligji “për Imigracionin në Interesin kombëtar”, është paraqitur në shtator. Të dy variantet janë sponsorizuar nga ligjvënës republikanë. Një pyetje që po shtrohet është nëse është i justifikuar shqetësimi se ky program vë në rrezik sigurinë kombëtare. Përgjigja varet nga interpretimi i argumenteve. Presidenti Trump tha se preferon një program të mbështetur tek meritat, që ai beson se do të ishte më i favorshëm për sigurinë dhe ekonominë e Shteteve të Bashkuara. Por demokratët thonë se programi i cili favorizon vende që nuk kanë nivele të mjaftueshme imigrimi në Shtetet e Bashkuara, i shërben diversitetit të vendit. Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo e akuzoi presidentin se po politizonte sulmin. “Mesazhet e presidentit në Twitter, nuk ndihmojnë. Nuk besoj se ishin të mbështetura në fakte. Mendoj se kishin tendencën që të gjenin fajtorë dhe të politizojnë situatën”. Analistët e kundërterrorizmit janë gjithashtu skeptikë se eliminimi I programit do të përmirësonte sigurinë në Shtetet e Bashkuara. Politikat e imigracionit të presidentit amerikan Donald Trump po përdoren si një "armë gjeopolitike" kundër kombeve që nuk janë aleatë të Shteteve të Bashkuara, sipas një analisti amerikan. "Trump ka dalë dhe ka pohuar se ne duhet të eliminojmë lotarinë e diversitetit sa i përket vizave. Ajo që do të thotë me këtë është se ai dëshiron të eliminojë imigracionin në Shtetet e Bashkuara nga persona të kombeve kryesisht islamike ", tha Keith Preston, kryeredaktor i sajtit AttacktheSystem.com. "Nuk bëhet fjalë për Islamin; nuk ka të bëjë me terrorizmin; nuk ka të bëjë me emigracionin. Kjo është një armë gjeopolitike, kundër kombeve dhe shteteve që nuk janë në linjë me Shtetet e Bashkuara, "tha Preston. "Për shembull, autorët e sulmeve të 11 shtatorit 2001 në Nju Jork, ishin individë nga Arabia Saudite, megjithatë nuk ka pasur asnjë përpjekje nga administrata Trump për të frenuar imigracionin nga Arabia Saudite", vuri në dukje ai. Duke e konsideruar të dyshuarin për sulmin terrorist në një Nju Jork si “një kafshë”, Presidenti amerikan Donald Trump tha se do t’i kërkojë Kongresit t’i japë fund programit të Lotarisë Amerikane për emigracionin. “Unë do t’i kërkoj Kongresit  që të fillojë menjëherë punën për të hequr qafe këtë program. Lotaria e diversitetit nuk ka qenë diçka e mirë dhe ne jemi kundër”, deklaroi Trump. Programi filloi në vitet 1990, kur Senatori Schumer e propozoi atë. Por në vitin 2013, ai ishte pjesë e një grupi dypartiak për t’i dhënë fund programit, në favor të një sistemi meritash, i cili dështoi pasi Dhoma e Përfaqësuesve nuk votoi fare për të. Sidoqoftë, analistët janë të mendimit se ëndrra amerikane ka perënduar dhe këtë fat e pret edhe lotarinë amerikane.