Turneu 12 ditor i Donald Trump në Azi
Trump është nisur nga Uashingtoni për një turne të gjatë në Azi dhe pritet që gjatë turneut 12 ditësh, ta vizitoj Japoninë, Korenë Jugore, Kinën, Vietnamin dhe Filipinet.
Së pari, ai do ndalet në Havai, për një vizitë të shkurtër të forcave ushtarake amerikane në Paqësor dhe Perl Harbor, ndërsa të dielën arrin në Japoni. Presidenti Donald Trump ka nisur vizitën e tij 12-ditore në pesë vende aziatike më 3 nëntor, kur vëzhguesit ndërkombëtarë kanë shprehur shqetësimin për stabilitetin e rajonit si pasojë e ndikimeve negative të këtij turneu. Vizita e tij në Japoni, Korenë Jugore dhe Kinë, me gjasë do të dominohet nga bisedimet për programet raketore dhe të armatimit atomik të Koresë Veriore. Vëzhguesit e medias thonë se 90 për qind e bisedimeve të liderëve amerikan dhe japonez do të përqendrohen rreth mënyrave për të ndalur Korenë e Veriut, e cila tani i sheh fqinjët e saj, e vecanërisht Tokion, si kërcënimin e e saj më të madh. Gjatë muajve të fundit, Koreja Veriore i ka testuar disa raketa ndërkontinentale balistike dhe e ka kryer eksplodimin e 6-të atomik. Kjo ka ndikuar, që presidenti Trump pat tërhequr vërejtjen se do të ketë “zjarr dhe ashpërsi” në përgjigje të lëvizjeve nga Koreja Veriore. Trump planifikohet të jetë në Pekin më 8 nëntor për të diskutuar me konkurrentin e tij më të madh tregtar në botë dhe në rajon. Sipas vëzhguesve kinezë dhe amerikanë, ka çështje të panumërta dhe probleme për të diskutuar, edhe pse më e nxehta është Koreja e Veriut. Administrata e Trump ka nxitur Pekinin që të bëjë më shumë për të ndalur avancimin e programeve bërthamore dhe raketore të Koresë së Veriut. Megjithatë, Kina ngurron të bëjë më shumë presion ndaj Penianit dhe të rrezikojë destabilizimin e qeverisë së Koresë së Veriut. Gjatë vizitës në Vietnam, Trump do të jetë pjesëmarrës në samitin e Bashkëpunimit ekonomik Azi – Paqësor, i njohur si APEC. Vëzhguesit theksojnë se ajo që kërkon Trump nga rajoni i Azisë është thjesht leverdia tregtare dhe vendosja e një marrëveshjeje dypalëshe të tregtisë së lirë me vendet aziatike për të rritur bilancin tregtar në rajon në favor të Shteteve të Bashkuara.Për shembull, Tokio tani ka një suficit tregtar prej 68.9 miliardë dollarësh në marrëdhëniet e biznesit me Shtetet e Bashkuara. Meqë në këtë samit pritet edhe pjesëmarrja e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, nuk e ka përjashtuar mundësinë e takimit të dy presidentëve. “Ne nuk e përjashtojmë mundësinë e takimit të tillë. Me të vërtetë po diskutohet tash. Atëherë kur të gjitha detajet të bëhen të qarta, si rezultat i koordinimit tonë reciprok, ne do të informojmë”, u tha gazetarëve Dmitry Peskov në Moskë.