Raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Slloveni
https://parstoday.ir/sq/news/world-i62402-raundi_i_dytë_i_zgjedhjeve_presidenciale_në_slloveni
Sllovenët u janë drejtuar sot qendrave të votimit për balotazhin e zgjedhjeve presidenciale, ku Presidenti Borut Pahor shpreson për një mandat të dytë, ndërsa kryebashkiaku i qytetit Kamnik, Marjan Sarec kërkon drejtimin e vendit.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Nëntor 12, 2017 15:01 Europe/Tirane
  • Raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Slloveni

Sllovenët u janë drejtuar sot qendrave të votimit për balotazhin e zgjedhjeve presidenciale, ku Presidenti Borut Pahor shpreson për një mandat të dytë, ndërsa kryebashkiaku i qytetit Kamnik, Marjan Sarec kërkon drejtimin e vendit.

Në raundin e parë, të mbajtur përpara 3 javësh, Pahor siguroi rreth 47% të votave, ndërsa Sarec, një ish-komedian dhe imitues, u rendit i dyti me pothuajse 25%. Falë një avantazhi të tillë dhe sondazhet e fundit të opinionit që e vendosin në krye, Pahor praktikisht duhet të flinte i qetë, por hendeku i tij me rivalin është ngushtuar ndjeshëm këto ditët e fundit. Ish-kryeministri i Sllovenisë nga radhët e socialdemokratëve është në pushtet që nga viti 2012. Pahorin e quajnë ndryshe edhe si “Presidenti nga Instagrami”, sepse atë e ndjekin në këtë rrjet social rreth 40 000 persona. Por, mediat sllovene e kritikojnë për faktin se gjatë fushatës elektorale nuk është marrë me problemet serioze të vendit. Nëse e fiton shumicën, që edhe pritet, Pahor, që këtë herë garon si i pavarur, do të jetë pas Millan Kuçanit Presidenti i vetëm i vendit që ka siguruar dy mandate. Kundërshtari i tij, nga ana tjetër, ishte një figurë relativisht e panjohur në Slloveni. Për dallim prej 54-vjeçarit Pahor, i cili gjatë karrierës së tij ka qenë edhe kryetar i Parlamentit, kryeministër dhe deputet në Parlamentin Evropian, Shareci 39-vjeçar ka filluar të merret me politikë vetëm para 7 vitesh e kjo, në nivelin lokal.