Kriza e opiumit i kushtoi Amerikës mbi 500 miliardë dollarë!
https://parstoday.ir/sq/news/world-i62847-kriza_e_opiumit_i_kushtoi_amerikës_mbi_500_miliardë_dollarë!
Sipas një analize të re nga qeveria amerikane, bëhet e ditur se epidemia e opiumit në SHBA që shkatërron komunitetet amerikane i kushtoi vendit mbi 500 miliardë dollarë në vitin 2015, shumë më shtrenjtë se sa mendohej më parë.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Nëntor 22, 2017 17:01 Europe/Tirane
  • Kriza e opiumit i kushtoi Amerikës mbi 500 miliardë dollarë!

Sipas një analize të re nga qeveria amerikane, bëhet e ditur se epidemia e opiumit në SHBA që shkatërron komunitetet amerikane i kushtoi vendit mbi 500 miliardë dollarë në vitin 2015, shumë më shtrenjtë se sa mendohej më parë.

Këshilli i Këshilltarëve Ekonomikë të Shtëpisë së Bardhë tha të hënën se kostoja e vërtetë e krizës në vitin 2015 ishte 504 miliardë dollarë, pra gjashtë herë më shumë se vlerësimi më i fundit. Këshilli tha se një studim privat i vitit 2016 vlerësonte se overdoza, abuzimi dhe varësia nga opiumi në SHBA në vitin 2013 kushtoi 78.5 miliardë dollarë. Pjesa më e madhe e këtij shpenzimi i atribuohet kujdesit shëndetësor dhe shpenzimeve të drejtësisë penale, së bashku me produktivitetin e humbur. "Vlerësimet e mëparshme të kostos ekonomike të krizës së opiumit e nënvlerësojnë atë duke neglizhuar komponentët më të rëndësishëm të humbjeve - vdekjet që rezultojnë nga mbidoza," tha raporti i Këshillit të Këshilltarëve Ekonomikë të Shtëpisë së Bardhë. Presidenti i SHBA Donald Trump tha të hënën në një takim të kabinetit në Shtëpinë e Bardhë se "epidemia e opiumit që po shkatërron aq shumë familje dhe komunitete amerikane" do të ishte ndër temat kryesore për diskutim. Trump e deklaroi krizën amerikane të drogës si një "emergjencë të shëndetit publik". Ai njoftoi gjithashtu një fushatë reklamuese për të luftuar epideminë, por nuk miratoi asnjë financim të ri federal për këtë përpjekje. Qeveria e SHBA dhe zyrtarët e shërbimit shëndetësor kanë luftuar për të frenuar epideminë e mbidozave, të cilat vranë më shumë se 64,000 amerikanë vetëm vitin e kaluar, nga 52,000 në vitin 2015. Sipas të dhënave të qeverisë amerikane, abuzimi me opiumin ka vrarë më shumë amerikanë sesa luftërat amerikane në Vietnam, Irak dhe Afganistan kombinuar së bashku, duke theksuar se kjo krizë në rritje e opiumit në Shtetet e Bashkuara përbën kërcënimin kryesor ndaj popullsisë amerikane. Sipas Qendrave të SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve veteranët e luftës kanë dy herë më shumë gjasa se jo-veteranët që të vdesin nga varësia e drogës, veçanërisht ata që shërbenin në luftërat në Irak dhe Afganistan. Sipas Uashingtonit, kjo krizë po vret 150 amerikanë çdo ditë. Ekspertët e shëndetësisë kanë paralajmëruar se kriza e opiumit në Shtetet e Bashkuara mund të përhapet edhe në Evropë. Vdekjet nga mbidoza në Europë, u rritën për të tretin vit radhazi në vitin 2015 duke arritur në 8.441 dhe 81 për qind e tyre ishin të lidhura me përdorimin e opiumit.