Rusia kundërshton akuzat për vrasjen e civilëve në Siri
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka hedhur poshtë me forcë një pretendim nga Observatori Sirian i të Drejtave të Njeriut se bombarduesit strategjikë rusë në operacionet e tyre kundër terrorizmit, kanë bombarduar një fshat në provincën lindore të Sirisë të Deir al-Zur.
"Aeroplanët e Forcave Ajrore ruse nuk janë përdorur për të sulmuar fshatin al-Shafah në provincën Deir al-Zur", tha Ministria e Mbrojtjes e Rusisë në një deklaratë të hënën, pak orë pasi grupi i ashtuquajtur Observatori Sirian i të Drejtave të Njeriut pretendoi se bombarduesit strategjikë "Tupolev Tu-22M3" sulmuan një zonë banimi në fshatin al-Shafah, duke vrarë më shumë se 50 vetë. "Të gjitha informatat në lidhje me objektet e tilla kontrollohen dhe verifikohen online nëpërmjet kanaleve të ndryshme në terren dhe me dronë. Pretendimet e Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Britani, që aeroplanët rusë kanë sulmuar fshatin al-Shafah janë një tjetër informacion në një seri lajmesh të rreme ", thuhet më tej në deklaratën ministrore, duke shtuar se avionët rusë sulmojnë vetëm pozicionet e grupeve terroriste dhe vetëm larg zonave të banuara. Të dielën, Moska njoftoi se gjashtë nga bombarduesit e saj të mëdhenj, të cilët fluturuan nga një aeroport në Rusi, goditën përsëri "fortesat terroriste" në luginën e lumit Eufrat në Deir al-Zur.