Protesta në mbështetje të emigrantëve në Itali
Me mijëra emigrantë, studentë dhe familjarë të sindikatave, unioneve dhe shoqërive civile në Itali janë ngritur në protesta për të shprehur mbështetjen e tyre ndaj azilantëve dhe emigrantëve.
Të pranishmit në këtë protestë kanë kërkuar që emigrantëve tu jepet e drejta e strehimit, banesës, punës dhe të garantohet e drejta dhe liria e tyre. Të tilla drejta janë hequr për shkak të politikave të kursimit ekonomik që po ndjek qeveria italiane. Protestuesit me thirrjet e tyre “ Të Drejta pa kufi” kanë kritikuar akordin e arritur nga Italia dhe Libia për të bllokuar valën e emigrantëve nga Afrika për në Evropë. Shumë organizata ndërkombëtare mes tyre Amnesty International kanë akuzuar vendet evropiane dhe në veçanti italianë se bashkëpunojnë me qeverinë e Libisë në torturimin e emigrantëve në këtë vend. Shumë media kanë njoftuar se në Libi, emigrantët shiten si skllevër me vlerë 400 dollarë. Kjo çështje ka ngjallur reagimin e ashpër të disa vendeve të rajonit, si dhe organizatave rajonale dhe ndërkombëtare. Më herët BE i ka kërkuar Libisë të bllokojë valën e emigrantëve në shkëmbim të ndihmave financiare të unionit.